Komunat e Kosovës pritet ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese, ka njoftuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).
Sipas AKK-së, me miratimin e këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës komunat do të humbin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i tij pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.
Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe Komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij Kushtetues”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Sipas Asociacionit me këtë Ligj janë cenuar rëndë përgjegjësitë komunale dhe se ky Ligj ka ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e të hyrave të komunave, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake, si të hyrat kryesore të pushtetit lokal.
Më tej në reagimin e AKK-së thuhet se Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës (MFTP) mori vendim që ta ndryshojë Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme ku gjatë procesit të amendamentimit nuk i konsultoi fare Komunat e Kosovës.







