AKK-ja nuk mund ta shqyrtojë anëtarsimin e Mitrovicës së Veriut deri në gusht

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq të martën kishte shkruar një kërkesë për të ia drejtuar Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Në kërkesë bëhej fjalë për anëtarësim.

Por, ai dhe të gjithë punëtorët e Komunës së Mitrovicës së Veriut nuk do e marrin vesh nëse pranohen deri më 22 gusht.

Kjo pasi Asociacioni nuk mund ta shqyrtojë kërkesën para kësaj date.

“Kjo ftesë është dërguar në harmoni me rregullat e statutit të Asociacionit ku thuhet që takimet e jashtëzakonshme duhet të thirrën së paku një muaj para se të mbahet takimi dmth ne sot jemi me 20 korrik, kështu që takimi është caktuar për ditën e marte e cila i bije me 22 gusht të vitit 2023”, ka thënë kryetari i  Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Kërkesën për anëtarësim e kishin mirëpritur edhe asamblistët duke votuar pro saj në Kuvendin Komunal, pos një abstenimi nga asamblisti serb.

Njëri nga ta që e mbështeti këtë synim është Betim Osmani. Ai e vlerëson të rëndësishëm anëtarësimin në AKK.

“Besoj që komunikimet do t’i kemi më të mira, do të bëjmë projekte të përbashkëta me komunat e tjera dhe do të jemi më afër njëri-tjetrit edhe për ndihma juridike, profesionale prandaj me këte asociacion besoj që do të jemi më afër me njëra-tjetrën”, bëri të ditur Betim Osmani, Asamblist në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut.

Kërkesë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës nuk kanë bërë komunat tjera veriore, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku që tashmë udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, raporton RTVD.