Burim Ramadani

AKI detyrohet t’ia tregojë krejt “sekretet” Speciales, Ramadani nuk tregon a do të shkojë në Hagë

Inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani nuk dëshiron të japë asnjë detaj lidhur me thirrjen për intervistim, e cila i erdhi nga Specialja. Ai beson se ka ndodhur një “gabim teknik”. Por institucioni ku punon Ramadani është i obliguar t’ia japë Speciales çdo të dhënë dhe dokument që mund t’i nevojitet asaj.

Inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani do të duhet të paraqitet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë si dëshmitar. Ai ka marrë një ftesë për intervistim nga ZPS-ja, që në fakt është urdhër.

Në fletëthirrje, u tha se Ramadani është urdhëruar të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. AKI-ja njoftoi të hënën se nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”. 

I kontaktuar nga Gazeta Express, Ramadani nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj thirrjeje.

“Veç të përshëndes… Veç përshëndetje shoku. Faleminderit shumë. Është komunikata. Veç komunikatës referoju”, ka thënë ai.

Në komunikatën e AKI-së thuhet se Ramadani “është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla” dhe se ai “beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett nuk ka dashur të deklarohet rreth kësaj çështjeje.

“Jam në dijeni të raportimeve në mediat e Kosovës në lidhje me z. Ramadani, por nuk kam asnjë koment. ZPS nuk jep një informacion të tillë për hetimin e saj”, i tha Bennett Gazetës Express.

Ligji i detyron institucionet e Kosovës t’ia japin Speciales çdo të dhënë

Gjykata Speciale, që ka përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera në vend, ka kërkuar që institucionet tjera të sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë si Policia, Prokuroria dhe Inteligjenca të bashkëpunojnë me të.

Zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle kishte thënë për Express se institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë janë të detyruara të ofrojnë bashkëpunim.

“Si çështje e përgjithshme, Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashikon që të gjitha autoritetet në Kosovë janë të detyruara të bashkëpunojnë me institucionet” kishte thënë Doyle në dhjetor të vitit 2020.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar urdhëron që personat dhe institucionet në Kosovë t’i përgjigjen kërkesave të Gjykatës Speciale, përfshirë edhe të tillave për sigurimin e të dhënave dhe dokumenteve zyrtare.

“Duke i pasur parasysh të drejtat e të akuzuarit të përcaktuara në nenin 21, të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe pa vonesë e respektojnë çdo kërkesë për asistencë ose urdhrat apo vendimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në pikën e parë të nenit 53 të këtij ligji.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar; neni 53

Ky ligj po ashtu i jep mundësinë Gjykatës Speciale që të mund të urdhërojnë transferimin e procedurave brenda juridiksionit të tyre, prej çdo prokurori apo gjykate tjetër në territorin e Kosovës, në çfarëdo faze të hetimeve apo të procedurave gjyqësore. Specialja po ashtu mund t’i japë urdhër një gjykate në Kosovë që t’ua dorëzojnë atyre çfarëdo lënde gjyqësore apo hetimi që përfshihet në juridiksionin e saj.

Përveç tjerash, të gjitha gjykatat dhe prokurorët e Kosovës obligohen që t’i njoftojnë pa vonesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nëse vihen në dijeni për ndonjë rast procedure penale që përfshihet në juridiksionin e Gjykatës Speciale.

Gjykata Speciale që në vitin 2015 e kishte marrë miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është e vendosur në Hagë të Holandës në bazë të Marrëveshjes së Kosovës me Shtetin Pritës më 15 shkurt 2016. Specialja është institucion i përkohshëm me mandat dhe juridiksion specifik që përfshin disa krime kundër njerëzimit, krime lufte, dhe krime të tjera të parapara në legjislacionin e Kosovës të cilat pretendohet të kenë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

Të gjithë punonjësit e Gjykatës Speciale – ku përfshihen prokurorë, hetues, analistë, specialistë të sigurisë dhe punonjës mbështetës – janë shtetas të huaj, nga ndonjë nga vendet anëtarë të Bashkimit Europian ose vijnë nga pesë shtete kontribuese që nuk janë anëtare të BE-së si: Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.