Finalja e Europa League së sezonit 2022-2023 mes Sevilles dhe Romës, prodhoi shumë polemika.

 Ishin spanjollët ata që triumfuan pas goditjes së 11-metërshave, teksa koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën në barazim 1-1. Italianët protestuan gjatë për arbitrimin e anglezit Anthony Taylor aq sa trajneri Jose Mourinho kërkoi të konfliktohej fizikisht me të pas ndeshjes.

Së fundmi, kësaj finaleje i rikthehet edhe Paulo Dybala. Sulmuesi (shënoi për Romën në atë ndeshje), thekson se e përjetoi shumë disfatën në finale ndërsa shtoi se triumfi për të do të kishte qenë historik, ashtu si Kupa e Botës me Argjentinën.

“Pas Kupës së Botës pata mundësinë e një tjetër finaleje me Romën. Por, e humbëm atë dhe kjo më shkatërroi, isha i “thyer”. Për mua dhe Romën do të ishte diçka historike, ashtu siç ishte Kupa e Botës. Isha te Roma prej një viti dhe të gjithë më pyesnin se përse e ndjeva aq shumë atë disfatë. Por, nuk e di, fakti që e humba atë finale më “vrau”, u shpreh Dybala.