Ajaxi në gjysmëfinalet e Championsit, Federata holandeze shtyn kampionatin

Arritja mbresëlënëse e Ajaxit në Champions League, me një futboll spektakolar dhe lojë emocionuese, ka ndikuar në kalendarin e Federatës holandeze të Futbollit.

Kjo e fundit ka vendosur të shtyjë programin e javës së 33-të të “Eredivisie”-s, për shkak të angazhimit të skuadrës nga Amsterdami në turneun elitar të kontinentit të vjetër.

Fillimisht ishte vendosur që “Eredivisie” të luhej më 28 prill, por kjo korrespondon dy ditë para përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit, në gjysmëfinalen e parë të Championsit.

Federata holandeze e Futbollit vendosi ta spostojë të gjithë kalendarin më 15 maj, për të evituar probleme për ekipin nga Amsterdami, si dëmtime apo sforcime të mëdha, e gjithashtu për të mos ndikuar në vijueshmërinë e kampionatit për shkak të përballjeve me rëndësi për Europën dhe rënien.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në të njëjtin orar, në 19:30, duke përfshirë dhe atë që impenjon PSV Eindhovenin, skuadra që rivalizon Ajaksin për titullin kampion në Holandë. Ajaksi do të luajë gjysmëfinalen e kthimit në Champions League në stadiumin e saj “Johan Cruyff Arena”, më 8 maj.