Ahmeti tregon si bëhet përgatitja e infermierëve nga ‘Interpersonnel Kosova’, që fitojnë punë në Gjermani

Sot në Prishtinë ka qëndruar ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn, i cili edhe ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim me vendin tonë në fushën e shëndetësisë.

Kompania ‘Interpersonnel Kosova’ ka ndërmjetësuar me shtetin gjerman për punësimin në Gjermani të infermierëve që janë të papunë në Kosovë dhe përgatitjen e infermierëve të rinj për tregun gjerman dhe kosovar.

Drejtori i ‘Interpersonnel Kosova’, Musa Ahmeti, në RTV Dukagjini ka thënë se infermierët që përgatiten për 12 muaj në Kosovë mund të punojnë në Gjermani si të barabartë me infermierët e tjerë gjermanë, apo të huaj.

Ai thotë se të njëjtit pasi të trajnohen dhe certifikohen mund të punojnë edhe në shtetet e tjera të BE-së me përjashtim të Britanisë.

Ahmeti thotë se ‘Interpersonnel Kosova’ nuk është vetëm kompani, por edhe qendër trajnimi dhe aftësimi që është edhe partner me shtetin gjerman.

“Ne pranojmë studentë sa kemi vende pune dhe kontrata pune. Nuk ndodhë që në të regjistrojmë dikë, i cili nuk ka kontratën e punës gjashtë muaj para se të shkojë në Gjermani. Ne shkojmë vetëm në rrugë ligjore dhe të sigurta sepse gjithçka shkon në bashkëpunim me ambasadën gjermane”, tha ai.

Drejtori i ‘Interpersonnel Kosova’ thotë se ka bashkëpunim të mirë edhe me institucionet e Kosovës, dhe është afër një marrëveshjeje bashkëpunimi me Gjermaninë edhe për punësimin e punëtorëve të krahut.

Ai thotë se ‘Interpersonnel Kosova’ ka kapacitete që për një vit të aftësojë deri në 1,200 infermierë në vit.

“Pothuajse çdo ditë ne dërgojmë nga një, dy apo pesë infermierë në Gjermani. Kemi një favor nga ambasada gjermane, pasi kemi plotësuar gjithë dokumentacionin në rregull. Ne marrim vizën pothuajse për tre ditë, pasi nuk kemi nevojë për termin”.

Ahmeti thotë se ‘Interpersonnel Kosova’ ka rreth më shumë se 20 mësimdhënës të gjermanishtes dhe një staf të përbërë nga specialistët vendorë të mjekësisë, që përgatisin infermierët.

loading…