Ahmeti për Kurtin: Asnjë kryeministër nuk duhet të largohet nga vendi për më shumë se 4-5 ditë

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në SHBA. Sipas Ahmetit, Vetëvendosje ka dashur të dëshmojë që Kurti mund të shkojë në ShBA. Megjithatë, Ahmeti kritikoi Kurtin për qëndrimin e tij rreth tre javësh atje.

“Asnjë kryeministër nuk duhet të largohet nga vendi për më shumë se 4-5 ditë, përndryshe duket si një vizitë ‘se kam kohë dhe prandaj po rri më gjatë’.

Ahmeti komentoi edhe kritikat e opozitës se në SHBA, shefi i ekzekutivit të Kosovës, nuk zhvilloi takime me zyrtarë të niveleve të larta.

“Mesazhe të Qeverisë Amerikane janë që ata kërkojnë që dialogu të ketë epilog dhe që në qendër të ketë njohjen e ndërsjellë”, tha Ahmeti në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

Ahmeti po ashtu kujtoi edhe kohën e vitit 2017 kur si Vetëvendosje kishin kërkuar takim me ambasadorin e atëhershëm amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili nga ta kishte kërkuar që të kërkonin falje për sulmin ndaj ambasadores së dikurshme Tracey Jacobson, për çka ai tha se “nuk kishin pranuar ta marrin fajin për diçka që nuk e kanë bërë”.