Hasan Ahmetaj

Ahmetaj flet për masakrën në Korishë: Civilët u përdorën si mburojë e gjallë në rrugën e shpresës

Hasan Ahmetaj, familjar i të vrarëve në masakrën në Korishë, ka thënë se 600 civilë në kolonën duke dalë në rrugën “e shpresës” për në Shqipëri, janë përdorur si mburojë e gjallë nga paramilitarët serbë.

Ai tha në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini se ky rast sipas tij ka të bëjë me një kurth në të cilën kishte rënë NATO-ja.

“Rasti i Korishës në një masë të madhe më shumë se 600 civilë në kolonën duke dalë për në Shqipëri janë përdorur si mburojë e gjallë është rast shumë specifik sepse ka të bëjë me një kurth në të cilën ka rënë NATO dhe këtu nëse flasim për drejtësi është një temë shumë tabu dhe nuk besoj se mund të gjendet drejtësi në këtë rast. Në ditën e 13 majit, kolona që po jetonte në kushte të rënduara në malet e Kabashit… kishte ardh një kohë që epilogu i luftës nuk po merrte drejtimin e duhur dhe në atë kohë flitej se lufta do të vazhdonte dhe u krijua një situatë e rënduar në mesin e popullatës dhe shumica u bindën duke parë kolona pandërprerë që kalonin për në rrugën për në Shqipëri që quhej rruga e shpresës dhe u krijua bindja që edhe ata të lëviznin për në Shqipëri”, tha ai.

Civilët të cilët ishin urdhëruar të ngujoheshin në një vend ndërtimor, mbetën të vrarë.

“Kolona u lëshua nga malet atë ditë për në rrugën për në Shqipëri dhe pas 2 km kur kanë zbritur nga mali në aksin rrugor me të zbritur në rrugën kryesore janë ndaluar dhe i kanë mbajtur gjithë ditën… pastaj aty duket se ka pasur edhe ndërhyrje nga qarqet e sigurimit shtetësor serb duke urdhëruar kolonën të ngujohet në një pllac ndërtimor dhe në orën 23:45 identifikohet prej avionëve të NATO-s se aty është një bazë ushtarake dhe bombardohet. Në atë kohë 2 avionë kanë bombarduar tërë natën… aty bëhet fjalë për 30 fëmijë nën moshën 18 vjeçare”.