Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si një sulm të ri dhe të papranueshëm kundër mediave dhe gazetarëve. Ky reagim i AGK-së vjen pas incidentit të fundit, ku kameramani Jetmir Muji u ndalua dhe u mbajt jashtëligjshëm nga mbrojtja e afërt e Presidentes.
Në një postim të gjatë në Facebook, Osmani kishte akuzuar disa media për “përndjekje të kundërligjshme dhe të rrezikshme ndaj vajzave të saj të mitura”. AGK-ja e konsideron këtë gjuhë si të papranueshme, duke theksuar se raportimi për shkollimin e fëmijëve të krerëve të shtetit është në interes të publikut dhe nuk përbën përndjekje.
Shoqata e gazetarëve është veçanërisht e shqetësuar për pjesën e reagimit të Presidentes ku ajo deklaron:
“Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë…”
Sipas AGK-së, ky formulim përbën një shantazh publik ndaj gazetarëve dhe një sinjal alarmi për sigurinë juridike të qytetarëve, pasi vjen nga kreu i shtetit me qasje në raportet e institucioneve të sigurisë.
“Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja duhet të jetë ajo që garanton dhe mbron lirinë e medias, detyrë e përcaktuar edhe nga Kushtetuta e Kosovës,” theksoi AGK.
Shoqata i ka bërë thirrje Presidentes Osmani të ndalojë sulmet jodemokratike ndaj mediave dhe të ushtrojë me përgjegjësi funksionin e saj, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të informimit.







