Wanda Nara

Agjentja dhe gruaja e Icardit tregon se zgjatja e kontratës me Interin është ende larg

Kontrata e Mauro Icardit me Interin përfundon në vitin 2021, ndërsa agjentja dhe gruaja e sulmuesit argjentinas, Wanda Nara ka thënë se palët nuk janë afër të gjejnë një marrëveshje.

25 vjeçari është lidhur me një kalim te Real Madridi, por javën e kaluar u rritën pretendimet për zgjatjen e kontratës me Interin, pas një postimi të Wanda Naras në Twitter, ku thuhej se ishte duke i lexuar kushtet e kontratës përkundër që ora shënonte 00:30. Megjithatë ‘showgirl’ argjentinase nuk e kishte për rinovimin me Interin, por për një kontratë të Icardit me Niken.

“Ne jemi shumë larg. Më duhet të ulem dhe të bisedojmë por nuk kam bërë ende diçka të tillë. Më bën të qeshem kur shoh që shkruhet se nuk ka oferta për Icardin. Mendoj se Interi është në gjendje të ofrojë kushtet e kërkuara, prioritet mbetet qëndrimi te Interi”, tha Nara.

Bashkëshortja e Icardi zbuloi një prapaskenë interesante gjatë verës së kaluar, gjersa sipas saj Interi ishte i gatshëm ta dërgonte kapitenin e skuadrës të rivalët e urryer, Juventusi, por ishte vetë Icardi ai që e refuzoi transferimin te “Zonja e Vjetër”.

“Gjatë verës Icardi ishte me një këmbë jashtë klubit. Interi dëshiroi ta dërgonte te Juventusi. Ishte Mauro ai që refuzoi, për të qëndruar te Interi ai refuzoi edhe më shumë para. Juventusi tentoi të më bind me propozimin se do të luanin bashkë me Cristiano Ronaldon, më thanë se Icardi do të ishte numri 9 i skuadrës”, përmbylli fjalët e saj Wanda Nara.

Icardi edhe këtë sezon ka vazhduar me formën e mirë, teksa ka realizuar 9 gola në 12 takime të zhvilluara në Serie A, kurse në anën tjetër ka shënuar edhe 4 gola tjerë në Champions League, kompeticion në të cilin Interi nuk arriti ta kalojë grupin.