Agjenti i Skriniar konfirmon bisedimet për rinovimin e kontratës me Interin

Ka pasur interesim të jashtëzakonshëm në drejtim të mbrojtësit të Interit, Milan Skrinar me Manchester Unitedin në krye, por agjenti i sllovakut, Karol Csonto ka zbuluar se janë në bisedime për zgjatjen e kontratës me klubin zikaltër.

Interi kishte refuzuar dy oferta zyrtare për ish lojtarin e Sampdorias, atë nga Manchester City në këtë janar që kapte shifrën e 65 milionë eurove, ndërsa gjatë verës u refuzua edhe Barcelona.

Raportohet se Jose Mourinho insiston të gjejë një marrëveshje për Skriniar në janarin e ardhshëm për t’i dhënë fund problemeve në mbrojtje që ka skuadra e tij, teksa pas vetëm 12 javëve në Premier League ka pësuar 21 gola.

Sidoqoftë agjenti i 23 vjeçarit ka konfirmuar se janë në bisedime me 18 herë kampionët e Italisë për të vazhduar qëndrimin në “San Siro” me kontratën aktuale që i skadon në vitin 2022.

“Po flasim dhe po punojmë lidhur me çështjen e rinovimit. Është një temë që do të merremi më shumë me të në muajt e ardhshëm. Skriniar është i lumtur të luajë te Interi, ai po luan mirë por është i vetëdijshëm për vështirësitë e Serie A-së. Gjithashtu është i lumtur që po aktivizohet në Champions League dhe synim i tij është të përmirësohet ditë pas dite”, theksoi agjenti i Skriniar.

Interi kishte një seri fantastike prej 7 fitoreve rradhazi në Serie A para humbjes së thellë 4-1 në fundjavën e kaluar në udhëtim ndaj Atalantas.