Agjenti i rrejshëm i AKI-së që u arrestua javën e kaluar punonte në një portal të Kosovës

Policia e Kosovës e arrestoi të martën e kaluar 26-vjeçarin nga Prishtina, Edmond Jetullahu, nën dyshimin se përpiloi një dokument të falsifikuar, me të cilin u vetë punësua në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Jetullahu dyshohet për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve.

Lidhur me këto dyshime që rëndojnë mbi 26-vjeçarin nga Prishtina, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur zyrtarisht hetimet të mërkurën dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ballkani.info e pati publikuar ekskluzivisht dokumentin e falsifikuar të Edmond Jetullahut, i cili mbante nënshkrimin e tij dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Po ashtu Ballkani.info raportoi duke i thirrur në burime se Jetullahu asnjëherë nuk kishte hyrë në ndërtesën e AKI-së.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se Edmond Jetullahu në kohën e arrestimit dhe paraqitjes si agjent i rrejshëm ka punuar si kameraman dhe montazher në një portal të njohur të Kosovës.

Ballkani.info për shkak të korrektësisë nuk do ta bëjë të ditur emrin e portalit në të cilin ka punuar Jetullahu.

“Të premten policia ia ka konfiskuar kompjuterin në redaksi”, kanë thënë burimet tona. /Ballkani.info/