AFP

Agjencia Franceze e Lajmeve: Vija kufitare në “meny” të diskutimeve Kosovë-Serbi

Çështje delikate e vijave kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është në agjendën e diskutimeve «të vështira» mes dy shteteve, ka konfirmuar për agjencinë franceze të lajmeve, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me homologun e tij serb të enjten në Bruksel në përpjekje për të ringjallur procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Ky takim i së enjtes ishte i vështirë, por i rëndësishëm. Të gjitha takimet ku ne flasim për paqen përbëjnë një përparim, një pikë pozitive”, ka thënë Thaçi të premten mbrëma në një intervistë me AFP, në margjinat e vizitës së tij në Paris, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore.

“Në agjendën e diskutimeve tona përfshihen personat e zhdukur, personat e zhvendosur, Kisha Ortodokse Serbe, çështjet e arsimit, pronat, zhvillimi ekonomik, por edhe demarkacioni i kufirit rreth 400 kilometra në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shpjeguar ai, transmeton Ballkani.info.

“Ne do të punojmë së bashku për të përcaktuar kufijtë, por ato nuk do të bazohen në linja etnike”, tha ai.

“Kosovë do të mbetet shumetnike, Serbia, po ashtu, nuk do të ketë zhvendosje të njerëzve”.

Këtë verë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, pa hyrë në detaje, diskutuan mundësinë e ndryshimit të kufijve për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, njëzet vjet pas konfliktit midis forcave serbe dhe guerilasve separatistë kosovarë, shkruan AFP.

Sipas raporteve të mediave, një rajon në veri të Kosovës i populluar kryesisht nga serbë, do të shkëmbehej për një rajon të Serbisë jugore të populluar kryesisht nga shqiptarë.

Kjo hipotezë ka shkaktuar shqetësime, si brenda, ashtu edhe në disa shtete perëndimore. Gjermania dhe Britania e Madhe janë armiqësore ndaj kësaj ideje, duke argumentuar një rrezik destabilizimi për mbarë rajonin.

Thirrje Macronit

“Ky proces (i normalizimit) është shumë i vështirë dhe ka shumë pak gjasa për sukses, por përderisa vazhdojmë diskutimet, ne jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë Thaçi një ditë pas takimit me Vuçiqin dhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, transmeton Ballkani.info.

Dialogu për normalizimin i iniciuar në vitin 2011, nën lehtësimin e BE-së, kishte ngecur për muaj të tërë.

Serbia, së bashku me Rusinë dhe Kinën, refuzon të njohë pavarësinë e ish-krahinës së saj, të shpallur më 2008 dhe të njohur nga më shumë se 110 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tri të katërtat e Bashkimit Evropian.

I pyetur për dëshirën e tij për ta bërë Kosovën me ushtri, në hidhërim të madh të serbëve që e shohin një vijë të kuqe për këtë çështje, Thaçi siguroi se “forcat e armatosura të Kosovës do të themelohen. Kjo është vendosur tashmë”.

“Ne jemi një shtet sovran dhe askush në Serbi nuk mund të vë veton ndaj këtij projekti”, ka thënë ai.

Thaçi llogarit që të përfitojë nga vizita e tij në Paris për t’i kërkuar presidentit francez Emmanuel Macron të mbështesë procesin e negociatave që po vazhdojnë mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Do të inkurajoj presidentin Macron të luajë një rol aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë gjetjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.

Për çështjen e heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës, të kërkuar nga Prishtina, Thaçi shprehu keqardhje për “zërat hezitues” në BE, edhe pse Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit të vizave në shtator.

“Kosova përmbush të gjitha kriteret demokratike të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Tani duhet të merret një vendim politik. E di se liderët evropianë janë në fushatë parazgjedhore (në pikëpamje të zgjedhjeve evropian të vitit 2019), por askush nuk duhet të ketë frikë nga qytetarët kosovarë”.

”U bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare që të marrin vendimin e duhur dhe të mos i lënë dy milionë njerëz të izoluar padrejtësisht”, ka thënë Presidenti i Kosovës, banorët e të cilit janë të vetmit shtetas të Ballkanit që akoma duhet të marrin viza për të hyrë në BE. /Ballkani.info/