Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliu, i cili dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Podujevës, sot ka bërë të ditur se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 15 marsit, kandidat i LDK-së për kryetar të Podujevës do të jetë Nexhmi Rudari.
Ai iu ka bërë thirrje strukturave të LDK-së dhe simpatizantëve të kësaj partie në Llap që të votojnë për Rudarin në mënyrë që, siç ka thënë, ta mbajnë LDK-në të pa mposhtur atje, shkruan Ballkani.info.
Postimi i plotë i Agim Veliut:
Të dashur qytetarë llapjanë,
Komunikimin me ju po e filloj me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes dhe falënderimit për besimin dhe mbështetjen e gjithsecilit prej jush gjatë gjithë rrugëtimit tim politik, i cili u përcoll me sfida të mëdha, por që me përkrahjen tuaj gjithmonë ia dolëm.
Kështu do të vazhdojmë edhe tash e tutje, edhe pse unë kam marrë një detyrë tjetër me vullnetin për t’i shërbyer interesit të vendit, por edhe për ta fuqizuar kontributin e Llapit në shtetndërtimin e Kosovës.
Të dashur miq,
Tashmë jemi në një situatë të re. Podujeva do të mbajë zgjedhje për kryetar të Komunës.
Ne, si degë e fuqishme dhe e organizuar mirë, ua kemi ofruar qytetarëve llapjanë kandidatin tonë më të mirë, anëtarin e Kryesisë se Degës për disa mandate dhe nënkryetarin aktual të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin.
Nexhi, krahas përgatitjes akademike ka një përvojë të jashtëzakonshme në pushtetin qendror e lokal dhe pa asnjë dyshim do të jetë kryetar i suksesshëm i Podujevës.
Kandidimi i tij erdhi pas diskutimeve konstruktive në struktura dhe me një votim unanim të kryesisë së LDK-së në Podujevë.
Kandidati ynë pa dilemë do të jetë Kryetari i ardhshëm i Podujevës. Prandaj, ftoj të gjithë veprimtarët e LDK-së, anëtarësinë dhe simpatizantët, që në këtë proces ta mbështesin LDK-në dhe kandidatin tonë për kryetar, duke e mbajtur të pamposhtur subjektin tonë politik në Llap.
Si gjithmonë do të jemi së bashku në këtë proces dhe ato që vijnë pas tij.
Na priftë e mbara!
Vazhdojmë!







