Agim Veliu ia ‘hap krahun’ Vjosa Osmanit: Nuk ka më arsye të qëndrojë në LDK, po punon për VV-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha sonte se nënkryetarja Vjosa Osmani nuk ka më kuptim të qëndrojë në parti.

Në një paraqitje në Pressing, Veliu tha se Osmani po vazhdon me punuar kundër LDK-së.

“Qëndrimi i Vjosës dhe thirrja e Vjosës nuk është diçka e re. Ajo ka vepru edhe më herët në këtë mënyre. Ajo ka votu edhe kundër kryeministrit të saj dhe qeverise se LDK-së. Kjo me duket pak interesante se të jesh nënkryetare e një subjekti politik dhe të punosh për një tjetër kësaj nuk di çka i thonë tjetër përpos tradhti të interesave të subjektit të vetë politik. Nëse për çdo dite bën thirrje të mos respektohen vendimet e LDK-së dhe punon me tjerët, nuk e ka ma bash asnjë kuptim që ajo të qëndrojë në LDK”, ka thënë Veliu.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që është edhe nënkryetare e LDK-së ka deklaruar se do të votojë kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Në një konferencë për shtyp, pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se nuk duhet që në këtë kohë të bëhet ky veprim.

“Nuk e përkrahi këtë mocion, dhe ftoj deputetët mos ta përkrahin këtë mocion. Nuk është në kohën e duhur dhe nuk do të prodhoj një qeveri tjetër me legjitimitet. Nuk ka nevoje Kosova për një qeveri që nuk ka legjitimitet”, ka thënë ajo.

Në fakt mocioni vjen nga partia e saj. Osmani ka votuar kundër seancës edhe në kryesi.

Nesër ndërkaq mbahet seanca për rrëzimin e Qeverisë, në ora 11:00.