Agim Bahtiri i del në “ndihmë” Bashës pasi u akuzua se ka pasur “gisht” në disa hetime kundër UÇK-së

Lëvizja Vetëvendosje është përfshirë në debatin e ditëve të fundit në Tiranë për rolin e kreut të PD-së, Lulzim Bashës gjatë kohës sa ishte pjesë e UNMIK-ut.

Në Shqipëri sot ka qëndruar kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka kërkuar unifikim të shqiptarëve për çështje të interesit kombëtar.https:

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është përballur ditëve të fundit me akuza se ka pasur “gisht” në disa hetime kundër UCK-së që ka kryer UNMIK’u.

Për t’i dalë në krah atij sot në Tiranë ka qëndruar Agim Bahtiri, anëtar i LVV-së e kryetar i Mitrovicës së Jugut.

“Kam kënaqësinë të mirëpres sot kryetarin e Komunës së Mitrovicës zotin Agim Bahtiri. Si qytetar nderi i Mitrovicës, dua së pari t’i shpreh mirënjohje dhe falënderimet më të sinqerta për vizitën e tij, por edhe për mikpritjen e ngrohtë që më rezervoi gjatë vizitës time zyrtare në Kosovë, para disa muajsh. Kemi folur për sfidat e mëdha me të cilat po përballet sot Kosova, dhe domosdoshmërinë për një përgjigje të bashkuar për interesat e Shqipërisë e të Kosovës në interesat kombëtare dhe solidarizimin me Kosovën, me qytetarët, me institucionet e Kosovës për përballjen në këto sfida”, citohet të ketë thënë Basha që priti Bahtirin.

Kreu i Mitrovicës ndërkaq tha se ka shkuar për ta vizituar Bashën për faktin se ka bërë shumë për Kosovën.

“Sot kam ardhur të vizitoj mikun tim dhe qytetarin tim për arsye se për punën dhe kontributin që ka bërë për Kosovën, unë e kam shpallë Qytetar nderi zotin Lulzim Basha. Dhe kam ardhur ti jap një përkrahje maksimale për të gjitha sfidat që po kalon vendi, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Prandaj edhe të bëj një apel, te gjithë krerëve të partive politike, qofshin në Shqipëri edhe në Kosovë që të bashkohemi sot si një trup për arsye se kemi një tragjedi në Kosovë të cilat po Kosova është në situate tejet të keqe dhe brenguese për arsye se çlirimtarët tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës sot po trajtohet në Hagë padrejtësisht. Prandaj shpifjet më të ulëta që i bën dikush me qëllime të caktuara, nuk i takojnë Bashës dhe për atë jemi këtu që të mbrojmë deri në fund në emër të gjithë qytetarëve të Mitrovicës por edhe shumë qytetarë të tjerë te Kosovës sepse e kemi nip dhe si i tillë ka dhënë një kontribut të veçantë për Kosovën dhe unë e falenderoj përzemërsisht por njëkohësisht i uroj dhe sukses në punën e tij të palodhshme dhe kontributi i tij nuk harrohet në Kosovë dhe shpifjet e dobëta prej disa njerëzve që nuk dua të përmend emra po janë tê ulëta dhe janë të shpifura prej punët deri këtu”, ka thënë Bahtiri.