Agim Aliu premton mbi 7 milionë euro investime për bujqësinë në mandatin e ri

Kryetari aktual njëherit edhe kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Ferizajit në zgjedhjet lokale 2021, ka premtuar mbi 7 milionë euro investime për bujqësinë në mandatin e ri, përcjell Ballkani.info.

“Bujqit janë pasuria jonë që pasurinë e tokës e shumëfishojnë duke e kthyer në ushqime për ne. Me mbi 7 milionë eurove që planifikojmë t’i investojmë në bujqësi në mandatin e ri, bujqësia do të avancoj standardin e ri të vendosur tash e katër vite”, ka shkruar Aliu.

Gjithashtu ai sot ka vizituar bujqit Milazim Hyseni në Sojevë dhe Mustafa Alija në Bibaj, kultivues të perimeve në serra, të cilët kanë përfituar nga mbështetja e tij me subvencionim të perimeve në serra, motokultivator.

“Sot, vizitova bujqit Milazim Hyseni në Sojevë dhe Mustafa Alija në Bibaj, kultivues të perimeve në serra, të cilët kanë përfituar nga mbështetja jonë me subvencionim të perimeve në serra, motokultivator, gjersa në mandatin e ri, do ta rrisim e zgjerojmë përkrahjen edhe me dhoma ftohëse si për ruajtjen e produkteve që kultivojnë bujqit tanë, si dhe një varg investimesh tjera, që vijojnë rrugën e vizionit tonë për rilindjen e bujqësisë”, shtoi Aliu.