Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga posti i tij, përkundër që është dënuar me nëntë muaj burg efektiv.

Sot, Agim Ademi u është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë, e cila ishte njëra prej dy veprave me të cilat ishte ngarkuar.

Gazeta Express e kontaktoi Agim Ademin për ta kuptuar se si qëndron pozita e tij në FFK pas këtij lajmi, mirëpo ai u shpreh shkurt se kjo gjë nuk do të ndikojë në postin e tij dhe se së shpejti do ta dalë me komunikatë për media.

“Së shpejti, për disa minuta, do ta publikoj komunikatën ku do të sqaroj gjithçka. Jam duke e shkruar”, tha Ademi.

Kur u pyet se a do të ndikojë ky dënim në pozitën e tij në FFK, Ademi u përgjigj shkurtimisht: “Jo, nuk ka pse të ndikojë”.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje, raportoi “Betimi për Drejtësi”. Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.