Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit dhe Muharrem Rama.
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Rama, ku edhe çështja do të kthehet në shkallën e parë.
Me anë të një komunikate për media Gjykata Supreme ka njoftuar se sot është kthyer në shkallën e parë lënda e dy të dënuarve Ademi dhe Rama.
”Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Kujtojmë që në shkurt të këtij viti Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë, kishte shqiptuar ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
“A.A. dhe M.R. janë shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për veprën penale të detyrimit në tentativë, nga neni 267 paragrafi 2, lidhur më paragrafin 1, lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës(KPK), dhe janë gjykuar, i pari më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 9(nëntë) muajve, ndërsa i dyti më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 1(një) viti. Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar, nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk është shkelur ligji penal dhe se gjendja faktike, është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Apelit vlerësoj se dënimi i shqiptuar është në proporcion më shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë se akuzuarve dhe në funksion të qëllimit të përcaktuar me ligj”, thuhej në njoftimin e Apelit.







