Numri një i FFK-së, Agim Ademi pas pozitës së rëndësishme që ka si anëtar i Komitetit HatTrick në UEFA, tash ka pranuar një pozitë tjetër të rëndësishme edhe në FIFA.
Ai në Doha të Katarit ku po qëndron me ftesë të presidentit të FIFA-së, Giani Infantino, është emëruar anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s.
“Gjithmonë do të jem pranë futbollit tonë në çdo mekanizëm vendimmarrës dhe do të bëj çmos që të rinjtë tanë, që ëndërrojnë të shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare, të kenë kushte dhe mundësi sa më të mira për zhvillimin e talentit të tyre”, ka shkruar Ademi.
Njoftimi i plotë i Ademit:
Sot në Doha të Katarit, u mbajt mbledhja e parë inauguruese e Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s.
Është krenari dhe privilegj, por njëherësh edhe përgjegjësi të jem anëtar i këtij organi të rëndësishëm me mandat katërvjeçar.
Ashtu sikurse në Komitetin HatTrick të UEFA-s, edhe këtu do të jap kontributin tim maksimal për të mirën e përgjithshme të futbollit.
Gjithmonë do të jem pranë futbollit tonë në çdo mekanizëm vendimmarrës dhe do të bëj çmos që të rinjtë tanë, që ëndërrojnë të shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare, të kenë kushte dhe mundësi sa më të mira për zhvillimin e talentit të tyre.







