Arrestimi

Afera e vjedhjes së 2 milionë eurove, fjalët e para të Kadri Shalës në Gjykatë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur ta dërgojë para Gjykatës edhe personin e dytë për të cilin ka dyshim të bazuar se është pjesë e “avullimit” të 2 milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i shtetit.

Sipas vendimit të Gjykatës, të siguruar  nga KALLXO.com, Kadri Shala pasi ka dëgjuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit atë e ka kundërshuar në tërësi.

“Unë e kuptoj prokurorin e çështjes se ky rast është i ndjeshëm, por nëse më caktohet masa e paraburgimit do të pengohem për të kryer një projekt të madh të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ka të bëjë me ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë, e cila ka një vlerë të madhe mbi 3 milionë”, kishte thënë sipas vendimit të Gjykatës Kadri Shala.

Tutje ai kishte deklaruar se paratë në xhirollogarinë e tij ka menduar se janë nga mjetet e Ministrisë për Punë Sociale që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtëpive për komunitetin joshumicë.

“Vlera e mjeteve që kam pa në xhirollogarinë time kam menduar që është një pjesë e mjeteve nga punimet lidhur me atë projekt sepse kemi pasur probleme nga muaji dhjetor e tutje andaj duke menduar se ato mjete janë të miat i kam shfrytëzuar pa hezituar ndaj operatorëve-borxhlinjve që kam marrë materiale nga ta për ndërtimin e atyre shtëpive dhe për to si dëshmi ekzistojnë të gjitha faturat tek ata operatorë të gjitha janë në harmoni me dispozitat ligjore”, ka thënë Kadri Shala.

Kadri Shala ka dhënë një premtim në Gjykatë për kthimin e mjeteve.

“Premtoj dhe garantoj se do të jem bashkëpunues me Prokurorinë  dhe Gjykatën, nëse ndërpritet ai projekt nga ana ime ato mjetet nuk do të kthehen në xhirollogarinë time sepse mjetet nuk mund të shkojnë në xhirollogarinë  sepse të vetmen xhirollogari dhe kontratë me organet… kështu që  me kryerjen e atyre punimeve ato mjete do t’i kthehen shtetit”.

Kadri Shala në seancën e sotme mohoi njohje me zyrtarin e paraburgosur të Thesarit.

“Asnjëherë dhe asnjë çast apo minutë nuk kam të bëj diçka me një zyrtar të Thesarit siç pretendohet”, kishte thënë mes tjerash Kadri Shala në bazë të vendimit të Gjykatës.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Kadri Shalës për shkak të dyshimit se së bashku me Labinot Grudën, në bashkëkryerje, me planifikim paraprak, duke e ditur se pasuria është përfituar përmes veprimeve  inkriminuese të të pandehurit Labinot Gruda, në mënyrën që duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimet, ka krijuar user të ndryshëm, që duken si të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe përmes të njëjtëve, në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 2,077,995.90 euro (dy milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë centë) nga Thesari i Kosovës e ka transferuar në llogarinë bankare të subjekti juridik “LDA GROUP” SH.P.K., me pronar Valon Shala dhe person i autorizuar Kadri Shala.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Kadri Shala paratë  e lartcekura me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së tyre të vërtetë, vendndodhjen, lëvizjet si dhe të drejtat në lidhje me pronësinë e tyre, të njëjtat i ka transferuar në llogari të ndryshme të personave fizikë dhe juridikë, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe shuma të caktuara i ka tërhequr në para të gatshme nga llogaria e lartcekur duke kryer kështu veprën penale shpëlarje e parave.

Kadri Shala ishte vetëdorëzuar në Polici dje më 26 tetor ku më urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, ndërsa pas mbajtjes së seancës dëgjimore atij i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Gjykatësi Musa Kongjeli e ka udhëzuar të pandehurin Shala në të drejtën e tij për të parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.