MINT

Afera e rezervave shtetërore, mbrojtja e Lipovicës pretendon se nuk ka vepër penale por delikt civil, kundërvajtës apo administrativ

Mbrojtësit e të dyshuarit për aferën e rezervave shtetërore, Irfan Lipovica, avokatët Feim Alaj dhe Durim Osmani, në ankesën e parashtruar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tyre, pretendojnë se Lipovica me veprimet e tij ka mundur të përfshihet në delikt civil, kundërvajtës apo administrativ, por assesi në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Lipovica, zyrtar në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MiNT), bashkë me zyrtarin tjetër të kësaj Ministrie, Hafiz Gara dhe biznesmenin Ridvan Muharremi, nga 19 gushti 2023, gjenden në paraburgim nën dyshimin për dallavere me rezervat shtetërore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mund të jetë delikt civil, kundërvajtës, delikt administrativ…, kjo për faktin se vepra penale e keqpërdorimit të autoritetit dhe detyrës zyrtare në njërën nga tri variantet të saja 1.Keqpërdorimi, 2. Tejkalimi i kompetencave dhe 3. Mosndërmarrja e veprimeve, mund të kryhet vetëm me dashje, ku element qenësor i veprës penale është qëllimi për përftimin material për veten ose tjetrin apo shkaktuar dëm dikujt, në rastin konkret nuk kishte qëllim as përfitimi as dëm dhe këto elemente qenësore pa të cilat nuk ka vepër penale dhe nuk ka provuar asnjë provë as prokurori në propozimin për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në ankesën e avokatëve Alaj dhe Osmani.

Në ankesën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, dy avokatët pretendimet për atë se veprimet e Lipovicës nuk përbëjnë vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, i kanë të bazuara në aktgjykimet e Gjykatës Supreme, e cila sipas tyre ka sqaruar kur ekziston vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Tutje, në ankesë mbrojtja e Lipovicës ka theksuar se Prokuroria nuk ka prova të besueshme dhe të artikuluara mirë dhe se asnjë vëzhgues objektiv nuk do të bindej se ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprës penale, me të cilën ngarkohet Lipovica.

“Në rastin konkret mbrojtja gjen se nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se i mbrojturi im ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, respektivisht në bazë të provave materiale nuk e bindin vëzhguesin objektiv në bazë të provave të pranueshme dhe të artikuluara, se i mbrojturi im ka kryer veprën penale, nëse analizohen provat materiale nuk krijohet bindja objektive se i mbrojturi im ka kryer veprën penale, në kuptim të nenit 163 paragrafi 2 i KPPK-së”, thuhet në ankesën e ushtruar në Apel.

Sipas mbrojtjes, gjetjet e gjykatës janë kontradiktore me provat materiale lidhur me atë se Lipovica ka bërë pagesat për sheqer dhe vaj pa u dorëzuar malli, kjo ngase sipas mbrojtjes në Ligjin për Buxhetin e vitit 2022 lejohet paradhënia në lartësinë 100% për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

“Arsyetimi i gjykatës se ekziston baza e dyshimit se i mbrojturi im ka kryer veprën penale nga neni 414 sepse ka bërë pagesat për sheqer dhe vaj pa u dorëzuar malli nga operatorët ekonomikë është pretendim i pabazuar, ngase, sipas ligjit për buxhetin e vitit 2022 është përcaktuar se paradhënia lejohet në lartësinë e 100 % për pagesat që kanë të bëjnë me “sigurinë kombëtare”, në anë tjetër nëse analizohet dokumenti për “Strategjinë Kombëtare për vitin 2022 deri 2027” është përcaktuar se “sigurimi i rezervave paraqet interesa për sigurinë kombëtare”, pra duke marrë parasysh faktet e lartcekura rezulton se në rastin konkret organet administrative kanë vepruar në përputhje me ligjin në rastin konkret, mirëpo këto veprime edhe pse të ligjshme nuk janë ndërmarrë nga ana e të mbrojturit tim, prandaj mbrojta gjen se arsyetimi i gjykatës sa i përket dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale i mbrojturi im është i pa bazuar dhe kontradiktor me provat materiale”, thuhet tutje në ankesë.

Më tej, mbrojtja e Lipovicës në ankesë ka theksuar po ashtu se pretendimi i gjykatës se Lipovica mund të ndikojë në dëshmitarë nuk qëndron, pasi që sipas tyre janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët që kanë pasur për të dëshmuar ndaj tij.

“Të gjithë dëshmitarët që kanë pasur të dëgjohen përkitazi me klienti tim janë dëgjuar dhe nuk qëndron arsyetimi i gjykatës se mund të ndikoj i mbrojturi im në dëshmitarë”, thotë ankesa.

Ndërsa, lidhur me gjetet e gjykatës që kanë të bëjë me peshën e kryerjes së veprës penale dhe përsëritjen e saj, sipas mbrojtjes së Lipovicës si gjetje janë vetëm përshkrim i dispozitave ligjore pa ndërlidhje me ndonjë provë materiale.

“Ky përfundim i gjykatës është i përgjithshëm dhe vetëm paraqet përshkrim të dispozitës ligjore, pa ndërlidhje me ndonjë provë materiale, përkundrazi në rastin konkret vepra penale nuk është kryer në mënyrë që të ekzistojë rrethana që mund të përsëritet”, thuhet në ankesë.

Gjithashtu, mbrojtja e Lipovicës në ankesë ka theksuar se Themelorja me rastin e caktimit të masës së paraburgimit nuk ka marrë për bazë fare ndonjë rrethanë tjetër alternative dhe vetë personalitetin e Lipovicës.

“Gjykata fare nuk ka arsyetuar proporcionalitetin e masës së paraburgimit me ndonjë masë tjetër, njëkohësisht, gjykata nuk ka artikuluar mirë në mënyrë konkrete “rrethanat e personalitetit” e cila është një nga rrethanat kumulative me rastin e caktimit të paraburgimit, që bie që arsyetimi i aktvendimit të gjykatës është jo i plotë dhe i pa kjartë”, thuhet tutje sipas ankesës.

Mbrojtja e Lipovicës ka sqaruar se masa e paraburgimit është një masë tejet e rëndë marrë parasysh faktin se i mbrojturi i tyre është njeri i respektuar nga komunitetit, mbajtës i familjes dhe se nuk ka kryer më herët ndonjë vepër penale.

Gjithnjë sipas ankesës, mbrojtja e Lipovicës në ankesën e tyre kanë theksuar se vetë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësi dhe Tregtisë ka një memorandum të zyrës ligjore dhe vetë zyrtarët ligjorë të Qeverisë së Kosovës kanë konstatuar se procedurat janë të ligjshme dhe të lejuara.

“Nëse analizohet dosja penale rezulton se ka memorandum të MINT ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës nga zyrtar ligjorë të cilët kanë konstatuar se këto procedura janë të ligjshme dhe të lejuara e që vërteton se i mbrojturi jonë ka vepruar duke menduar se veprimet e tyre janë të ligjshme dhe të lejuara”, thuhen ne ankesën e ushtruar.

Mbrojtja e Lipovicë nga Gjykata e Apelit ka kërkuar që ndaj klientit të tyre të caktohet ndonjë masë tjetër më e lehtë sesa masa e paraburgimit.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për aferën e rezervave shtetërore.

Ndryshe, vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kurse, ndaj këtij vendimi, mbrojtja e të dyshuarve kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht më 19 gusht për dosjen e Prokurorisë ndaj tre të dyshuarve në rastin e dallavereve me rezervat e shtetit, ku thuhet se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk erdhën në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevant fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.

Po ashtu, Kryeministri Albin Kurti kishte publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.

Gjuhë të njëjtë ka përdorur edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle. E akuza për Prokurorinë Speciale hodhën edhe ministra e deputetë tjerë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.