Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në seancën e rigjykimit të martën i akuzuari A.H., u deklarua i pafajshëm për mospërfillje të urdhrit të gjykatës.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari H., e bëri pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga palët, ku prokurori Pashku deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më 3 nëntor 2022, duke shtuar se pas deklarimit të dëshmitarëve dhe nga deklarimi i të pandehurit i cili kishe pranuar pjesërisht fakte vendimtare, do të vërtetohet kryerja e veprës penale.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Halili ka mbetur pranë të gjitha deklarimeve të mëhershme, duke përkrahur fjalën e prokurorit.

Kurse, e dëmtuara E.R., ka mbështetur fjalën hyrëse të avokatit Halili, duke kërkuar drejtësi.

“Nëse s’ka drejtësi në Kosovë, landën tem kam me çu jashtë shtetit”, tha e dëmtuara E.R.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Hoxha në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se ky proces gjyqësor do të rezultojë me pafajësinë e të mbrojturit të tij.

Sipas tij, prokurori prezent në fjalën e tij hyrëse, është thirrur në provat që fare nuk janë propozuar në aktakuzë dhe se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk e ka pranuar fajësinë për këtë çështje.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarës-dëshmitares E.R., e cila ka mbetur në tërësi pranë të gjitha deklaratave të dhëna më parë.

E njëjta ka sqaruar se pasi që ishte nisur për në shtëpi, A.B., ia kishe hedhur nga kati i dytë çelësat e veturës të akuzuarit A.H., ku i njëjti me atë veturë sipas saj i është afruar vrullshëm 2-3 metra dhe se nga ky veprim është ndier e frikësuar.

Më pas, përfaqësuesi i palës së dëmtuar ka propozuar ndërprerjen e kësaj seance gjyqësore, me qëllim që t’i mundësohet të marrë pjesë në një seancë tjetër në Gjykatë të Apelit meqenëse në të njëjtën ishte ftuar më herët me ftesë të rregullt.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë kurse e radhës u caktua për një datë tjetër.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Drenas më 2 mars 2023 kishte shpallur fajtor A.H., duke i shqiptuar të njëjtit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muaj.

Kurse, në procedurën ankimore Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 28 shtator 2023 kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërsa, Gjykata Supreme më 1 mars 2024 me miratimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit, kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe aktgjykimin e shkallës së dytë, duke kthyer çështjen në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit A.H., (ish-kunati i të dëmtuarës) për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti më 24 maj 2022 në komunën e Drenasit, në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarës E.R., me dashje nuk e kishte përfillur aktvendimin aktiv të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përmes këtij vendimi, të akuzuarit H., i ishte caktuar masa urdhër për mbrojtje edhe pse kishte qenë i njoftuar me përmbajtjen e këtij aktvendimi me të cilin të njëjtit i ndalohej t’i afrohej të dëmtuarës E.R në distancë prej 10 metra, në vendbanimin e saj në fshatin Fushticë e Epërme, ndërsa në vende publike 100 metra.

Sipas aktit akuzues, i akuzuar H., derisa ishte duke e drejtuar veturën i afrohet të njëjtës afër gjysmë metër duke vozitur vrullshëm e duke i frikësuar dy vajzat e mitura me të cilat e dëmtuara kishte qenë duke ecur në këmbë, edhe pse sipas urdhrit mbrojtës i ndalohet që t’i afrohet dhe ta shqetësojë, ofendojë, përulë, godas, kërcënojë, sulmojë, ndjek, përcjellë, shkatërrojë apo kërcënojë pronën persoale ose të familjarëve të saj sipas vendimit të gjykatës.

Me këtë, H., po akuzohet se kishte kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”. /BetimipërDrejtësi