Adriatik Kelmendi largohet nga KTV-ja pas sulmeve nga VV-ja, kalon në Klan Kosovë

Autori i njohur i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, karrierën e tij në gazetari pritet ta vazhdojë në televizionin KLAN Kosova. Ai pritet të bëhet pasuesi i z.Baton Haxhiu, i cili u transferua në Republikën e Shqipërisë. Kjo vjen vetëm pak kohë pas një interviste në të cilën Kelmendi kishte sulmuar ashpër Albin Kurtin duke ia përmendur të gjitha qëndrimet e ndryshuara të tij.

Pas intervistës me Albin Kurtin, Kelmendi kishte qenë shënjestra e sulmeve të Vetëvendosjes, me Sami Kurteshin dhe Elvis Hoxhën nga kjo parti që ishin akuzuar nga AGK se e kishin linçuar.

Nuk dihet se çka ka ndodhur në prapaskenë mes tij, Flaka Surroit dhe Veton Surroit – të cilët hapur e kishin mbështetur Qeverinë e z.Albin Kurti.

Në një prononcim për Express, Kelmendi ka thënë se është ende në negociata për të marrë drejtimin e Klan Kosovës. Ai nuk ka mohuar mundësinë e kalimit në televizionin që ka hyrë në vitin e 12 të ekzistencës.

As nuk mund ta pohoj, as mohoj. Kam ofertë. Por, asgjë s’është definitive” – ka thënë ai.

Ndërkohë që sonte pritet të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së Drejtorit të Klan Kosovës.

Autori i emisionit “Rubikon” pasi ishte larguar nga pozita e Kryeredaktorit në KTV kishte vazhduar të mbante emisionin në këtë televizion si produksion i jashtëm.