Ademi: Jemi më të mirë se Maqedonia, të luajmë në Shkup

Një delegacion i Kosovës, i përbërë nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, sekretari Eroll Salihu, përzgjedhësi Bernard Challandes, ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti dhe menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, të martën ishin në Shkup për ta parë nga afër ndeshjen Maqedonia e Veriut – Izraeli.

Maqedonia e Veriut është kundërshtare e Kosovës në gjysmëfinale të Play-Off-it të Ligës D të Kombeve, fituesi i së cilës ligë do të shkojë në “Euro 2020”. Andaj, Challandes ka marrë shënime për ta studiuar mirë kundërshtaren nga shteti fqinj.

Kryetari Agim Ademi beson se Kosova do ta kalojë pengesën e quajtur Maqedonia e Veriut në fund të muajit mars.

“Po, ishim në Shkup për të ndjekur ndeshjen Maqedonia e Veriut – Izraeli. Ju e dini se Maqedonia e Veriut është kundërshtar i yni në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Megjithatë, ndeshja nuk ishte me peshë në mënyrë që të kuptojmë fuqinë e tyre, megjithatë nuk është ekip për tu nënçmuar. Besoj se ne kemi ekip më homogjen sesa Maqedonia e Veriut. Ndeshja duhet të luhet në Shkup”, deklaroi Agim Ademi, kryetar i FFK-së, për gazetën “Lajm” nga Maqedonia.