Ademi: Futbolli ynë tashmë është në nivel tjetër

“Jemi liga më e mirë e ranguar në rajon”. Kështu ka thënë Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi gjersa ka theksuar se sezoni i futbollit ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo sipas tij, vjen nga investimet e investitorëve, futbollistët dhe trajnerët.

I ftuar në “Duelin Sportiv” në RTV Dukagjini, Ademi ka përmendur suksesin e ekipeve kosovare të cilat po zgjerojnë dita-ditës rrugëtimin e tyre drejt fushave të gjelbra ndërkombëtare.

“Unë besoj shumë në kualitetin, entuziazmin dhe shpirtin luftarak të këtyre ekipeve”, ka thënë kryetari Ademi.

Para pak ditësh, ai kishte deklaruar se FFK-ja po planifikonte të zgjeronte stadiumin “Fadil Vokrri” me 8 mijë ulëse shtesë. Një përgjigje akoma pritet nga Komuna e Prishtinës.

“Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ duhet të jetë interes nacional ngase është bërë ekskluzivisht për ekipet kombëtare të Kosovës e sidomos ato të ekipës A”, ka thënë ai.

Tutje, Ademi ka thënë që pret zhvillim të madh në vazhdim të kohës së tij si Kryetar i FFK-së.

Ndër të tjera, ai ka thënë që buxheti i FFK-së është një buxhet solid gjersa thekson që “buxheti në sport nuk mjafton asnjëherë”.

I pyetur se cili do të ishte buxheti ideal që futbolli i Kosovës të ngrihej në një nivel tjetër, me plot vetëbesim Ademi thotë, “futbolli ynë tashmë është në nivel tjetër”.