Adelina Thaçi me lot në sy: Si vajzë e vetme jam shumë e lumtur që kam pasur një babë si Rasim Thaçi

Qindra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të aktorit të njohur Kosovar.

Janë të mërzitur për humbjen e njeriut që i bëri të qeshin gjatë tërë jetës.

Vdekja e Rasim Thaçit-Cimës i bëri bashkë familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e tij këtë të shtunë në Vukoc të Drenasit.

Ata po i japin lamtumirën e fundit aktorit, i cili vdiq një ditë më parë.

Ky moment ishte i vështirë edhe për ata që gjithmonë e kishin afër.

Vajza e aktorit, Adelina Thaçi tregoi se kishte katër javë prej kur Rasim Thaci ishte konfirmuar me virusin korona.

Thaci që thotë se kishte qenë gjithmonë pranë babait, e ka të vështirë të mbajë lotët kur flet për të.

Ndonëse është ceremoni e varrimit, bashkëpunëtorëve të tij nuk iu mungoi buzëqeshja, në momentet kur përshkruanin punën me të ndjerin.

Përshkrimi i përbashkët i të gjithëve që kaluan kohë me aktorin, ishte hareja që e karakterizonte Rasim Thaçin.

E dikush e kishte të pamundur t’i besojë lajmit se Cima kishte vdekur, për shkak të lajmeve të rreme që po shpërndaheshin kohëve të fundit për të.

Rasim Thaçi-Cima ishte i njohur si aktor i shumë serialeve e pjesëve humoristike në vend dhe vdiq në moshën 71 vjeçare.