Emmanuel Adebayor ka përshkruar momentin kur ish trajneri i tij, Jose Mourinho, kishte kritikuar Cristiano Ronaldon në zhveshtore – ndonëse ylli portugez kishte realizuar tregolësh.
Ish sulmuesi i Arsenalit, Tottenhamit e Manchester Cityt, kishte luajtur gjysmë stinori te Real Madridi si lojtar i huazuar në vitin 2011 dhe i qëlloi të punojë nën urdhrat e Mourinhos.
Sulmuesi togolez kishte luajtur 22 ndeshje në të gjitha garat gjatë qëndrimit të përkohshëm, ndërsa shënoi tetë gola.
Në një intervistë për “Sportsmail”, Adebayor ka biseduar edhe për mënyrën e punës të Mourinhos si dhe për marrëdhënien e 56-vjeçarit me yllin Ronaldo.
“Te Reali ne po fitonim 3:0 në pjesën e parë. Mourinho hyri në zhveshtore dhe ishte i çmendur. Shqelmoi frigoriferin, televizorin dhe hodhi ujin. Ai i vriste të gjithë. E mbaj në mend njëherë shkatërroi Ronaldon pasi shënoi hat-trick. I tha: ‘Të gjithë po thonë se je më i miri në botë dhe ti po luan keq. Më trego se je më i miri’. Cristiano e pranoi këtë kritikë”, tregon Adebayor.
Ronaldo përfundoi atë stinor me 53 gola, ndërsa Reali atë edicion fitoi vetëm Kupën e Spanjës.







