Deputeti i LVV-së

Abrashi shpërthen në akuza ndaj PDK’së: S’ka hequr dorë nga vrasja e kundërshtarëve, Klinaku instrument i tyre

Një deklaratë e Faton Klinakut të OVL UÇK-së ka trazuar politikën vendore, meqë ish-ushtari i UÇK-së në një status në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se “Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Ndaj një deklarate të tillë për të cilën Klinaku sot edhe është ftuar nga institucionet e drejtësisë, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi.

Abrashi ka thënë se Klinaku është ndërgjegjja e kulluar e PDK-së dhe fakti që ai ka zgjedhur fjalën “vrasje”, sipas Abrashit, flet shumë.

Sipas deputetit të VV-së “është e qartë” që PDK në metodat e saj “nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”.

“Faton Klinaku ka qenë çdoherë konsistent. Vazhdimisht ka deklaruar dhe deklaron mbështetjen e tij të hapur ndaj PDK-së. Përherë ka vepruar dhe vepron në koordinim të hapur me agjendën politike të PDK-së. OVL në krye me të ishte dhe është instrument politik i PDK-së. Faton Klinaku është ndërgjegja e kulluar e PDK-së, instikti i saj pa mbulesën e gjuhës së matur. Pse ndër mijëra fjalë për të ilustruar një mendim, ai zgjedhi pikërisht fjalën vrasje? Kjo fletë shumë. Është dëshmia e qartë se PDK në regjistrin e saj të metodave ende nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”, ka shkruar Abrashi.