Kandidati për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar raportin që ka me konkurrentët tjerë të tij për të marrë postin e të parit të subjektit që përfaqësojnë.

Ndërsa përmendi atë me Lutfi Hazirin e Anton Qunin, Lumir Abdixhiku tha se kishte takuar edhe Besian Mustafën, por që i njëjti nuk ia kishte bërë të ditur fare se edhe ai do t’i rrekej garës për Kryetar të Lidhjes Demokratike.

”Jam takuar para kandidaturës së tij, kemi pasur një bisedë. I kam treguar për projektet e mia, nuk më ka treguar se do të kandidojë, të nesërmen e kam kuptuar në media”.

”S’është e befasishme, është legjitime. Veç uroj që këto kandidatura të jenë të vërteta. Që të mos jenë për qëllime avancime individuale. Nuk janë kandidatura për të ngritur hisen e dikujt, sepse s’do të ketë, do të ketë punë ekipore”.