Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore nga Istogu, ku ka prezantuar zotimet kryesore të programit qeverisës dhe kandidatët e LDK-së nga ky qytet.

Në një tubim me qytetarë, Abdixhiku theksoi se Istogu ka dëshmuar mbështetje të fuqishme për LDK-në edhe në zgjedhjet lokale, duke përmendur rezultatin prej 60 për qind për Ilir Feratin. Ai u shpreh se fushata po nis “mes njerëzve tanë”, duke e cilësuar Istogun si qytet që “flet me dinjitet dhe përgjegjësi”.

Një nga zotimet kryesore të Abdixhikut ishte rritja graduale e pensioneve deri në 300 euro për secilin pensionist. Sipas planit të paraqitur, pensionet do të rriteshin në 200 euro në vitin e parë, 250 euro në vitin e dytë dhe 300 euro në vitin e tretë të qeverisjes së LDK-së. Ai tha se ky zotim përfaqëson respekt për gjeneratat që e kanë ndërtuar vendin dhe synon të garantojë një pleqëri me dinjitet.

Abdixhiku prezantoi gjithashtu programin qeverisës të LDK-së, të cilin e cilësoi si “më të drejtin dhe më të përgjegjshmin” që ka pasur Kosova deri më tani. Programi, sipas tij, fokusohet në mbështetjen e familjes, investime në arsim dhe shëndetësi, zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune, rend dhe siguri, si dhe funksionalizim të institucioneve, me “numra të qartë dhe zotime konkrete”.

Duke folur për ekipin, Abdixhiku theksoi se programi nuk ka vlerë pa njerëzit që e zbatojnë atë. Në këtë kuadër, ai prezantoi kandidatët e LDK-së nga Istogu: Prof. Dr. Serbeze Kabashi Muçaj (numri 15), mjeke dhe profesoreshë universitare me mbi tri dekada përvojë; Shkëmb Shaban Manaj (numri 29), jurist dhe, siç u shpreh Abdixhiku, “mbrojtës i Kushtetutës”; si dhe Besim Mulaj (numri 79), ekonomist dhe jurist me përvojë të gjatë në administratë publike.

Në tubim u prezantua edhe Ukë Ibrahim Rugova, ish-deputet, i cili u cilësua si vazhdues i vlerave të familjes Rugova.

“Ky është Istogu i LDK-së. Ky është ekipi ynë. Zgjidh shpresën”, përfundoi Abdixhiku.