Ismail Kadare

Abdixhiku: Kadare do mbetet ikonë e letërsisë e zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë

Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, kolosit Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka shkruar një telegram ngushëllimi.

Ai në këtë telegram ngushëllimi, shkruan se bota shqiptare u zgjua në zi nga ky lajm i trishtë.

Tutje, Abdixhiku shprehet se Kadare ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare.

“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

“Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”.