Abazoviqit i bëhet thirrje të kërkojë falje për relativizmin e gjenocidit në Srebrenicë

Familjarët e viktimave të gjenocidit, shoqatat dhe përfaqësuesit e partive poltike në Mal të Zi, kanë dënuar deklaratën e bërë në Potoçari nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

“Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, tha Abazoviq, në përkujtim të 27-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Pas kësaj deklarate, familjarët viktimave dhe shoqatat i kërkuan Abazoviqit që të kërkojë falje sepse definicioni i gjenocidit thotë se ai përbën“synimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Shoqata “Nënat e Srebrenicës” thanë se Abazoviq duhet t’iu kërkojë falje të gjithë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

“Fëmijët tanë u vranë vetëm sepse ishin boshnjakë, ata u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizim të krimit”, tha kjo shoqatë përmes Twitterit.

Qendra Memoriale e Srebrenicës e falënderoi Abazoviqin, por gjithashtu kërkoi nga ai që të lexojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

“Megjithatë, ndaj boshnjakëve u krye gjenocid – sepse motivi i vrasjeve nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por vrasja dhe shkatërrimi i një popullo. Këtë ju mësojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lexoni ato”, shkroi kjo qendër në Twitter.

Reagime për deklaratën e Abazoviqit ka pasur edhe nga Mali i Zi, përkatësisht nga Partia Socialdemokrate, subjekt që është pjesë e Qeverisë së pakicës së Abazoviqit.

“Kryeministri i Malit të Zi po e relativizon gjenocidin në Srebrenicë? Turp për ty Dritan”, ka shkruar deputetja e kësaj partie, Draginja Vuksanoviq-Stankoviq.

Në 27-vjetorin e Masakrës në Srebrenicë, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari u varrosën eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit që janë identifikuar së voni.

Forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.