Abazoviq raportohet se kërkoi nga klani kriminal telefona të sigurt, i mohon pretendimet

Emri i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka qenë i përfshirë në një nga diskutimet e fshehta të një prej klaneve më të fuqishme kriminale. Siç ka raportuar “M Portal”, Europoli ka arritur të përgjojë diskutime të klanit në platformën e koduar, “Sky ECC”.

Më 30 dhjetor 2020, aty për një orë ishte folur për Abazoviqin. Në atë bisedë, Abazoviqi përmendej si zyrtari që po kërkon të blejë katër telefona të enkriptuar përmes Bozo Milonjiqit, që atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq. Në të njëjtën kohë, Abazoviqi mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe koordinatorit të të gjitha shërbimeve të sigurisë.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për grupin kriminal “Shkaljarci”.

Raportimet janë mohuar nga kryeministri Abazoviq që ka ftuar Zyrën e Prokurorit Special që të hetojë të gjitha “akuzat e mjegullta”, të publikuara nga “kuazi portali”, që po udhëheq “kampanjë të fëlliqtë” kundër tij.

“Besoj se është e qartë për të gjithë se nga po vjen kjo dhe se rrethi po shtrëngohet rreth strukturave kriminale të afërta me grupe të caktuara politike përbrenda Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), që për qëllim ka të destabilizojë Malin e Zi në mënyrë që të ruajë fuqinë e vet financiare, por më e rëndësishmja – të shmangë drejtësinë”, ka shkruar Abazoviq në kanalin e tij për Telegram.

Ai po ashtu ka deklaruar se është në dispozicion të autoriteteve shtetërore për çdo sqarim, duke u bërë thirrje atyre që synonin, siç tha ai “të heqin kokën”, të nxitojnë.

Vetë Abazoviqi në maj pati pranuar se ka telefon të enkriptuar, por që i vjen turp ta përdorë. Telefoni i enkriptuar nënkupton që të dhënat në të janë të palexueshme pa fjalëkalimin.

Që nga prilli, disa grupe kriminale janë zbuluar në Mal të Zi, falë Europolit dhe policive të shteteve perëndimore, që kanë përgjuar, deshifruar dhe ua kanë përcjellë hetuesve malazezë bisedat e koduara të grupeve kriminale përmes telefonave dhe aplikacioneve të koduara, përfshirë aplikacionin “SKY ECC”.