Abazi: Shkuarja e Hysenit në Washington në shërbim të Daçiqit, mocioni duhet ta ndalë këtë projekt të rrezikshëm

Haki Abazi nga Vetëvendosje thotë se inicimi i mocionit për ta rrëzuar Qeverinë Hoti do të ndërpresë, sipas tij, projektin më të rrezikshëm kundër shtetësisë së Kosovës dhe fatit të shqiptarëve në Ballkan.

Për më tepër ai tha se koordinatori shtetëror i emëruar nga kryeministri Avdullah Hoti, Skender Hyseni, është në shërbim të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për të cilin tha se ka në synim t’i realizojë qëllimet e kriminelit Sllobodan Millosheviq.

“Me mocionin e mosbesimit në kuvendin e Kosovës kthehet demokracia në vend duke shkuar në zgjedhje dhe përcaktohet se kush ka vizion demokratik për shoqërinë tonë e kush po e përdor vendin si poligon për interesa grupore e individuale”.

“Po, qenësore tani është që të ndërpritet projekti më i rrezikshëm kundër shtetësisë së Kosovës dhe fatit të Shqiptarëve në Ballkan. Shkuarja e Hysenit në Washington DC është në shërbim të Dacicit dhe projektit të tij për të realizuar qëllimet e Milloshevicit duke e involvuar Rusinë në mënyrë formale në çështjet e hapura në Ballkan. Hyseni është në shërbim të dreqit dhe jo Kosovës. Gjithsesi asociacioni i komunave serbe nuk mund të prezantohet si më pak i rrezikshëm se çështja e ndryshimit të kufinjve, kjo për faktin se ky është një stacion i rrezikshëm i radhës dhe gjithashtu nuk përjashton apetitin e Serbisë për të marrë territor pas një pauze tjetër”.

“Në këtë kontekst duhet analizuar deklaratën e Palmer dhe heshtjen e Ambasadës Amerikane kundrejt naivitetit diplomatik e politik të qeverisë kuislinge. Mocioni është akt patriotik dhe i domosdoshëm”.