Zv/kryeministri

Abazi: Gjykata Kushtetuese mbyti demokracinë në orët e vona të mbrëmjes

Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi deklaron se qeveria Kurti u rrëzua për shkak të një marrëveshje paraprake në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe të parit të LDK’së Isa Mustafa.

Në deklarimet e tij ai sërish thotë se LDK krijoi një ‘situatë artificiale’ për të rrëzuar qeverinë.

“Nuk ka qenë fare në pyetje çfarëdo lloj problemi në koalicionin VV-LDK. Ka pasur një marrëveshje që nga fillimi për t’ia vazhduar Thaçit një mandat të dytë”, tha Abazi i ftuar në emisionin ‘DPT te Fidani’ në T7.

Abazi mendon se me vendimin e mbrëmshëm të Gjykatës Kushtetuese u mbyt demokracia në vend.

“Pse këto vendime të rëndësishme bëhen në orët e vona të mbrëmjes. Sikur u kontrabandua një vendim, sikur duan t’u tregojnë qytetarëve që është vendim i gabuar. Një gjykatë Kushtetuese që e mbyt demokracinë. Cila është arsyeja që Gjykata Kushtetuese ka lëshuar një pamflet politik që e bën monark presidentin kundrejt qytetarëve”, thekson ai.

Ai është i bindur se presidenti Thaçi e ka kapur shtetin duke e keqpërdorur vendin.

“Janë me dhjetra njerëz të luftës që nuk i shkojnë më pas Thaçit”, thotë Abazi.

Abazi thotë se qytetarët e Kosovës duan zgjedhje dhe për këtë duhen zgjedhjet e reja. Sipas tij, do të ndiqet çdo rrugë ligjore derisa vendi të shkojë në zgjedhje.