Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur të enjten mbledhjen e Kryesisë, nga e cila ka dalë me një qëndrim të prerë: rruga e vetme për të dalë nga situata aktuale politike në vend është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka bërë të ditur se çdo ide apo propozim tjetër për zgjidhje politike është dashur të prezantohej fillimisht brenda Kryesisë së partisë. Ai ka përmendur rastin e Besnik Krasniqit, i cili ka munguar në takim, duke nënvizuar se deklarimet publike jashtë forumeve të partisë nuk janë të pranueshme.
AAK ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se “nuk ka koalicion me VV” dhe se partia nuk do të japë votë për Glauk Konjufcën apo ndonjë kandidat tjetër nga radhët e VV-së.
Sipas AAK-së, vendi ka nevojë për një rifreskim politik përmes zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tyre, janë zgjidhja e vetme për të rikthyer stabilitetin institucional.







