Sot në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovvës, për vizitë ka qëndruar i dërguari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është pritur nga zyrtarët e partisë, Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj dhe Selim Selimi.

Sipas njoftimit nga Selimi, në takim është diskutuar për procesin e dialogut dhe qëndrimin e AAK-së mbi këtë çështje. Selimi ka njoftuar se Lajçakut i është shprehur qëndrimi i partisë së tij lidhur me këtë proces, ku kërkohet marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. “Në takim me të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák, prezentuam përkushtimin e AAK-së për procesin e dialogut dhe qëndrimin e pandryshuar për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, thuhet në njoftim.

AAK, gjatë takimit me Lajçakun, ka vlerësuar lartë angazhimin e SHBA-së në këtë proces, duke thënë se BE, përkundër thyerjeve të brendshme ku kërkohej ndryshimi territorial, mund të jap angazhim në këtë proces, nën udhëheqjen e SHBA-së. “Roli aktiv i ShBA-së në dialog, për të cilin ka qenë i zëshëm dhe këmbëngulës në vazhdimësi kryetari Haradinaj, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, i zgjatur për një dekadë, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Për shkak të qëndrimeve të ndryshme përbrenda BE-së në lidhje me ndryshimin e territoreve, ka ndodhë një lëkundje e besimit. Megjithatë, Aleanca përshëndetë angazhimin e BE-së në dialog, nën udhëheqje të ShBA-së”, thuhet në vazhdim të njoftimit.

AAK, po ashtu, ka kërkuar nga i dërguari i BE-së edhe heqjen e regjimit të vizave, meqenëse kriteret për këtë gjë janë plotësuar nga ana e Kosovës. “Në kuadër të takimit, ritheksuam, se BE para së gjithash, pas plotësimit të të gjitha kritereve, Kosovës t’i jap një vendim të shpejtë për heqjen e regjimit të vizave”, thuhet në fund të njoftimit.