A rrezikohet Kosova nga sulmet terroriste?

Që nga viti 2012 mbi 300 kosovarë kanë shkuar vullnetarisht në luftërat e nisura në shtetet e Lindjes së Mesme. Ata iu bashkuan organizatave të ndryshme terroriste si ISIS dhe AL-NUSRA, të cilat kryenin krime në emër të fesë islame. Ky numër u shtua me lindjet e 60 fëmijëve, sipas Policisë së Kosovës, që kanë “së paku njërin prind me shtetësi apo me prejardhje nga Kosova”.

Nga numri i përgjithshëm i kosovarëve që shkuan në Irak e Siri mbi 80 prej tyre humbën jetën në vatrat e luftës.

Institucionet e Kosovës morën disa masa ndaj kësaj dukurie që rrezikohej të shndërrohej në fenomen. Njëra nga to ishte riatdhesimi i këtyre “vullnetarëve” që shkuan në luftëra të huaja.

Në prill të këtij viti 110 qytetarë të Kosovës, të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri u kthyen në Kosovë. Kthimi i tyre ishte bërë nga Turqia me një aeroplan që mbante flamurin amerikan.

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, në një konferencë për medie për këtë rast, pati njoftuar që të kthyerit nga zonat e luftës janë luftëtarë, gra e fëmijë.

“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, kishte thënë Rashit Qalaj.

Ai gjithashtu kishte njoftuar se në Lindjen e Mesme ende kishin mbetur edhe 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Ministri tani në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte thënë se kthimi i tyre ishte pjesë e një plani në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së të kthyerit janë viktima të mashtrimit e keqtrajtimit.

“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave, që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre duke i lënë më pasoja të mëdha, në raste të caktuara edhe viktima. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar për të ardhmen e tyre”, kishte thënë ministri Abelard Tahiri.

Të kthyerit nga Siria janë vendosur në një qendër azili në fshatin Vranidoll në periferi të Prishtinës.

Numri i të shkuarve në Siri, pastaj kthimi i disa prej tyre ka ngritur dyshime që Kosova mund të jetë cak i sulmeve terroriste.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, thotë se Institucionet duhet të kujdesen për riintegrimin e të kthyerve nga Siria, si dhe monitorimin e tyre gjatë gjithë kohës në mënyrë që të mos jenë burim i problemeve dhe i terrorizmit.

Përkundër këtij numri, ai thotë se Kosova nuk mund të jetë cak i sulmeve terroriste, pasi që nuk është në interesin e terroristëve të sulmojnë një vend pa ndikim e pa peshë në botë.

“Pavarësisht numrit të madh të personave që kanë shkuar në Siri, deri sot nuk e kemi pasur asnjë rast të cilët kanë ndërmarrë sulm terrorist. Mendoj se edhe më tutje Kosova nuk do të jetë cak i sulmeve terroriste, për shkak se Kosova është vend i vogël dhe në arenën ndërkombëtare nuk bën jehonë. Terroristët janë të interesuar të kryejnë sulme aty ku merret bota me ta, të sulmojnë aty ku dhemb më së shumti, ku bën jehonë të madhe dhe merren mediet e huaja dhe rrjetet më të fuqishme në bota me ta”, ka thënë Islami për Ballkani.info.

Shteti i Kosovës ka pranuar kërcënime nga vet qytetarët e saj që kishin shkuar në zonat e konfliktit. Ndër to ishin edhe kërcënimet e Lavdrim Muhaxherit nga Gjilani dhe Ridvan Haqifit, të cilët ishin bërë komandantë në Siri.

Por edhe pas këtyre kërcënimeve eksperti i sigurisë, Avni Islami, thotë se rënia e intensitetit të shkuarjes së kosovarëve në zonat e luftës, si dhe rënia e intensitetit të luftimeve ka bërë që të bien edhe motivet për sulme terroriste.

“Individë të ndryshëm trë cilët kanë shkuar në vendet arabe, kemi pa që kanë kërcënuar në vazhdimësi prej vitit 2009 deri në vitin 2014, por duke e pasur parasysh rënien e intensitetit të shkuarjes së vullnetarëve nga Kosova, por edhe rënien e intensitetit të luftimeve dhe çrrënjosja e të ashtuquajturës khalifat, mendoj që motivi i atyre që kanë vendosur të marrin sulme terroriste ka rënë dhe është bërë vetëdijësimi i tyre”, përfundoi Islami.

Kujtojmë që sot është shënuar 18 vjetori i sulmeve terroriste ndaj “Kullave Binjake” në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më ç’rast humbën jetën afro 3 mijë qytetarë nga e gjithë bota, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë. /Donjeta Murselaj – Ballkani.info/

loading…