Berat Lahu, asamblesit i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, është marrë me projektin e Ndërmarrjes Publike Banesore, i cili parasheh ndërtimin e një objekti që ia shtin vlerën kësaj ndërmarrjeje dhe vetë Prishtinës.

Lahu, i cili është edhe dhëndër i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili sot mbajti konferencë për media pikërisht për këtë projekt, duke akuzuar NPB-në për, siç tha ai, mashtrim me këtë projekt.

Mirëpo, ka qenë kryeshefi ekzekutiv i NPB-së, Hajdar Hoxha, i cili i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se Aliu po kërcënon dhe shantazhon NPB-në. Hoxha me dokumente e ka paraqitur gjendjen e këtij projekti, duke thënë se do t’ia rris vlerën ndërmarrjes për miliona euro dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në deklaratat e Aliut.

“Me Lëvizja VETËVENDOSJE! Krimi nuk kalon! Me sqarimet e sotme projekti kriminal i NPB ndalohet. Ministri Liburn Aliu, sqaroi në detaje Planin kriminal që mundësonte keqpërdorimin e më shumë se 200.000.000 € pasuri të qytetarëve të Prishtinës. Faleminderit qytetarëve vigjilent të lagjes Lakrishtë në sinjalizimin e krimit shëndetësor dhe pasuror”, ky është postimi që ka bërë Lahu sot, pas konferencës së Aliut.

Megjithatë, kjo duket sikur të jetë një koordinim mes këtyre dyve, pasi që kryeshefi i NPB-së sot ngriti dyshime se ministri Aliu mund ta dështojë qëllimisht projektin në fjalë në mënyrë që dikush të përfitojë miliona në arbitrazh.

Kryeshefi Hoxha është pyetur nëse ka tendencë nga ministri Aliu që qëllimisht të dështojë projekti dhe procesi të shkojë në abritrazh në mënyrë që dikush të përfitojë nga e gjitha kjo, ai nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Një prej opsioneve mund të jetë kjo, sepse kontrata parasheh çështjen e arbitrazhit. Kontrata është marrëdhënie mes dy palëve, ne i kemi të drejtat tona, por kemi edhe obligime. Po ashtu edhe bashkëinvestitori i ka të drejtat dhe obligimet dhe një prej çështjeve është arbitrazhi”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, ata janë të interesuar që për tri vjet të përmbyllet projekti.

“Sepse pas 3 vjetësh këo metra katrorë që ne i fitojmë i katërfishojnë të hyrat e ndërmarrjes. Nuk është qëllimi të shkojmë nëpër arbitrazhe. Nëse qëllimi i ministrit është që përmes bashkëinvestitorit ta çoj në arbitrazh që i krijon dëme financiare ndërmarrjes, është mirë ta thotë ai, unë nuk e përjashtoj si opsion që mund të jetë edhe ky. Mirëpo e vërteta është që nëse kjo lëndë i nënshtrohet arbitrazheve për këso lloj vendimesh, dëmet janë marramëndëse për ndërmarrjen. Nëse projekti realizohet ju siguroj me bindje të plotë se përfitimet do të jenë shumë të mira për nderrmarrjen”, ka thënë Hoxha.

Procesi i Arbitrazhit mund t’i kushtojë NPB-së miliona euro. /Ballkani.info/