Kryeshefi i NPB-së s’e mohon se ministri Aliu mund të ketë qëllim që projekti të shkojë në arbitrazh dhe të humbin miliona euro

Drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu lidhur me rrënimin e objektit në Lakrishtë të Prishtinës.

Kryeshefi ekzekutiv i NPB-së Hajdar Hoxhaj në një konferencë për medie theksoi se deklaratat e ministrit Aliu janë të pavërteta, kërcënuese dhe shantazhuese.

“Reagojmë ndaj deklarimeve të pavërteta, tejet shantazhuese dhe kërcënuese të ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu. Sot ndoqëm me vëmendje konferencën e paraqitur nga Aliu, ku ne ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tejet joprofesionale dhe joligjore. U thanë shumë të pavërteta, shantazhuese e kërcënuese dhe aspak tipike të një pushteti ligjor, juridik që i takon të kryejë punën e tij”, u shpreh ai.

Kryeshefi Hoxha është pyetur nëse ka tendencë nga ministri Aliu që qëllimisht të dështojë projekti dhe procesi të shkojë në abritrazh në mënyrë që dikush të përfitojë nga e gjitha kjo, ai nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Një prej opsioneve mund të jetë kjo, sepse kontrata parasheh çështjen e arbitrazhit. Kontrata është marrëdhënie mes dy palëve, ne i kemi të drejtat tona, por kemi edhe obligime. Po ashtu edhe bashkëinvestitori i ka të drejtat dhe obligimet dhe një prej çështjeve është arbitrazhi”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, ata janë të interesuar që për tri vjet të përmbyllet projekti.

“Sepse pas 3 vjetësh këo metra katrorë që ne i fitojmë i katërfishojnë të hyrat e ndërmarrjes. Nuk është qëllimi të shkojmë nëpër arbitrazhe. Nëse qëllimi i ministrit është që përmes bashkëinvestitorit ta çoj në arbitrazh që i krijon dëme financiare ndërmarrjes, është mirë ta thotë ai, unë nuk e përjashtoj si opsion që mund të jetë edhe ky. Mirëpo e vërteta është që nëse kjo lëndë i nënshtrohet arbitrazheve për këso lloj vendimesh, dëmet janë marramëndëse për ndërmarrjen. Nëse projekti realizohet ju siguroj me bindje të plotë se përfitimet do të jenë shumë të mira për nderrmarrjen”, ka thënë Hoxha.

Procesi i Arbitrazhit mund t’i kushtojë NPB-së miliona euro. /Ballkani.info/