A ndikoi pandemia në rënien e votuesve, këtë vit dukshëm më pak votues, këto janë shifrat

 14 shkurti do të kenë më pak votues krahasuar me zgjedhjet e 2019  (143 mijë e 6 votues më pak), ndërsa 11 mijë e 86 persona janë larguar nga lista zgjedhore për shkak që kanë ndërruar jetë, shkruan Ballkani.info.

Ka mbetur vetëm edhe pesë ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka certifikuar listën përfundimtare dhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2019, në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak.

Zëdhëndësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ballkani.info, se në këto zgjedhjet për herë të parë do të garojnë 49 mijë e 198 votues.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës janë: 1 milion e 794 mijë e 862 votues në vendin tonë, që më 14 shkurt mund të votojnë.  Nëse lista e votuesve e këtyre zgjedhjeve krahasohet me të zgjedhjeve paraprake, 2019, atëherë në këto zgjedhje kemi 143 mijë e 6 votues më pak. Numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, pra që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019, është: 49 mijë e 198 votues”, ka pohuar Elezi.

Listat e zgjedhjeve dhe mospastrimi i tyre, kanë qenë kritika që janë përcjell në pothuajse çdo palë zgjedhje, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë më 14 shkurt, kjo pasi sipas KQZ-së, nga lista votuese janë larguar 11 mijë e 86 persona të cilët janë larguar nga skema pensionale e Kosovës për shkak që nuk jetojnë më.

Zëdhëndësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Ballkani.info. se në ditën e zgjedhjeve do të hapen 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

“Numri i votuesve që nuk kanë qenë në listën votuese 2019, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është: 10 mijë e 433 votues. PASTRIMI I LISTËS VOTUESE:  Nga lista votuese janë larguar 122 mijë e 421 persona të cilët kanë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u. Duke pasur vetëm dokument të lëshuar nga UNMIK-u, një votues nuk mund të identifikohet në vendvotim. Po ashtu, nga lista votuese janë larguar 11 mijë e 86 persona të cilët janë larguar nga skema pensionale e Kosovës për shkak se kanë vdekur. Të dhënat janë marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe janë konfirmuar në terren nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve. QENDRAT E VOTIMIT DHE VENDVOTIMET: Në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt do të hapen 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime”, ka theksuar Elezi për Ballkani.info.

Vendi shkoi në zgjedhje të reja pasi që Gjykata Kushtetuese e shpalli Qeverinë Hoti si jo legale për shkak të votës së deputetit të dënuar me vendim të formës së prerë, Etem Arifi.

Pas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi i Kosovës u mblodh për të votuar Buxhetin e vitit 2021, dhe pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Kosovës u shpërbë.

Në këto zgjedhje qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për disa parti politike, ndër to:

121-Nisma Socialdemokrate, Kandidat për Kryeministër: Fatmir Limaj;

27-Lëvizja Vetëvendosje, Kandidat për Kryeministër: Albin Kurti, Kandidate për Presidente: Vjosa Osmani;

132-Lidhja Demokratike e Kosovës, Kandidat për Kryeministër: Avdullah Hoti;

134-Partia Demokratike e Kosovës, Kandidat për Kryeministër: Enver Hoxhaj;

135-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Kandidat për President: Ramush Haradinaj./Ballkani.info.