Largimi i Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës po konstatohet se ka lënë gjurmë të thella në këtë subjekt politik. Këtë po e dëshmojnë rezultatet zgjedhore dhe po e thonë edhe vetë drejtuesit e LDK-së.

Largimi i Osmanit në drejtim të Vetëvendosjes, LDK-së po del që i kushtuar hiç më pak se 100 mijë vota, ndërsa së fundi ka ish zyrtarë të lartë të LDK-së që po kërkojnë që ajo të votohet nga LDK-ja si presidente e vendit.

Këta ish zyrtarë të LDK-së, e që vetën mund ta shohin si pjesë të Listës së Vjosa Osmanit apo edhe si pjesë e LDK-së me Osmanin aty, po tentojnë që ta legjitimojnë goditjen e saj ndaj LDK-së me votimin për presidente në Kuvendin e ri të Kosovës, shkruan Ballkani.info.

Dhe shtrohet pyetja se si mundet LDK-ja ta votojë për president Osmanin, e cila i dha goditje fatale kësaj partie. Goditja ndaj ish partisë nga zonja Osmani, pati nisur kur qeveria Kurti u rrëzuar në Kuvend, pasi që LDK-ja konstatoi se u prish marrëveshja e koalicionit me largimin e Agim Veliut dhe u cënuan raportet me SHBA-të.

Me të rrëzuar Kurti dhe qeveria e tij, Osmani nisi sulmet ndaj LDK-së, sulme këto që rezultuan me shkarkimin e saj nga dy pozita të larta që i mbante në parti.

Dhe më pas, deklaratat e ashpra dhe sulmet e Osmanit vetëm sa u shtuan, sidomos ndaj kryetarit në dorëheqje të LDK-së, Isa Mustafa dhe disa anëtarëe të kryesisë.

Më pas, gjithçka kulmoi kur Osmani u bashkua në listën zgjedhore të VV-së, duke bërë që Kurti ta nxirrte atë si kandidate për presidente.

Më 14 shkurt VV-ja dhe Osmani morën mbi 47 për qind të votave, gjë që atyre ua mundëson t’i kenë në Kuvend diku mes 56-58 deputetë. Ky numër i lartë i deputetëve, megjithatë nuk i jep garanci që Osmani të zgjedhet presidente. Për t’u zgjedhur dikush president, në sallë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë dhe ata duhet të marrin pjesë në votim, pa marrë parasysh se si votojnë.

Nëse pas dy raundeve një kandidat nuk arrin t’i merr 80 vota pro, atëherë në raundin e tretë duhet t’i ketë minimalisht 61 vota por, mirëpo në votim duhet të marrin pjesë 80 deputetë. /Ballkani.info/