A iu lejua Thaçit ta festonte ditëlindjen në paraburgim – Gjykata Speciale ka një përgjigje

Të shtunën ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbushur 53-vjeç. Por kjo ditëlindje e ka gjetur atë në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-bashkëpunëtorët e tij dhe miqtë ia uruan ditëlindjen Hashim Thaçit nëpërmjet postimeve publike, por a iu lejua ish-presidenitit ta festonte ditëlindjen në Hagë.

Në një përgjigje me shkrim Gjykata Speciale tha se të paraburgosurve iu lejohet që t’i festojnë ngjarjet e veçanta në përputhje me ligjet dhe rregullat e qendres së paraburgimit.

“Në përgjithësi, Menaxhmenti i Qendrës së Paraburgimit i KSC-së ofron mirëqenie për të paraburgosurit në një mjedis të sigurt. Të paraburgosurve iu ofrohet mundësia për të kaluar kohë së bashku dhe për t’i festuar ngjarjet e veçanta në përputhje me ligjet dhe rregullat e qendres së paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Speciales dhënë Express.

Në mesin e shumë urimeve që mori Thaçi për ditëlindje, vëmendje mori ai i mikut të tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

“I dashur Hashim, nuk e di a më lexon dhe nuk di as si je e si shkojnë ditët e tua, në atë izolim krejt absurd ku je i detyruar të qëndrosh për Zoti e di se sa kohë ende! Por unë gjithësesi dua të ta uroj sot ditëlindjen, nga larg dhe me dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin tënd e bërë shakatë tona me jetën në telefon, po ama besomë, duke u ndjerë pranë teje më shumë se çdo herë më pare”, ka shkruar Rama ndër të tjera.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, e quajti Thaçin themlues të shtetit, teksa shtoi se Kosova po e pret.

“Burrat e mëdhenj të kombit lindin rrallë. I tillë është miku e bashkëluftëtari im, Presidenti Hashim Thaçi”, shkroi në urimin e tij kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Deputeti i disa mandateve Daut Haradinaj, uroi që dollinë ta ngrehin në ditëlindjen e radhës.

Po ashtu Shefi i GP-së së PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Thaçi i mungon gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.