A i shkeli NISMA masat dhe a ndërhyri policia sonte në takimin e kësaj partie në një hotel?

Mbajtja e papritur e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare i ka shtyrë partitë politike që urgjentisht të organizohen dhe t’i mobilizojnë strukturat që sa më mirë të dalin nga procesi i votimit.

Tashmë të gjitha partitë janë duke diskutuar me degët dhe nëndegët që të hartojnë fillimisht listën e kandidatëve për deputetë, e më pas edhe strategjinë e çasjes ndaj votuesit.

E kjo nguti po ndikon që partitë t’i shkelin masat e vendosura nga Qeveria në luftën kundër koronavirusit.

Një gjë e tillë ka ndodhur sonte.

Ballkani.info mëson policia dhe inspektorati sonte kanë ndërhyrë në Hotelin Emerald ku Nisma Socialdemokrate ishte duke mbajtur takim me strukturat e partisë.

“Ishte një grup i njerëzve të Nismës që ishin mbledhur në Emerald, në kundërshtim me masat antiCOVID. Prandaj, ndërhyrja e policisë së Kosovës ka qenë e pashmangshme dhe ata janë shpërndarë”, ka thënë një burim i Ballkani.info.

Këto burime kanë thënë se rasti është hapur nga stacioni i policisë “Jug”, derisa është gjobit nga inspektorati edhe hoteli.

Megjithatë, deputeti i Nismës, Endrit Shala e ka mohuar një gjë të tillë.

I pyetur nga Ballkani.info Endrit Shala mohoj të jetë ashtu.

“Jo nuk është e vërtetë që Nisma ka pasur takim në Emerald e as nuk është shpërndarë nga Policia. Mbledhjet e Partisë mbahen në selinë e partisë e jo në ndonjë objekt tjetër të caktuar”, tha Shala për Ballkani.info.

Ballkani.info ka tentuar të flas edhe me policinë, por deri më tash kontakti ka qenë i pamundur. /Ballkani.info/