Maqedoni

A është Kosova në rrezik pas hapjes së kufirit maqedonas? Në Shkup shpërthen koronavirusi

Derisa gati në të gjitha shtetet e Evropës po rikthehet karantina, për shkak të rritjes së rasteve me COVID 19, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë qenë ndër të vetmet që kanë filluar me lirim të masave, raporton Gazeta Express. Në muajt kur është paralajmëruar rikthimi i valës së dytë të të infektuarve, nga Shkupi vijnë shifra të frikshme të të infektuarve. A është edhe Kosova në rrezik për shkak të hapjes së kufirit maqedonas?

Në Kosovë ditëve të fundit janë paralajmëruar masa ekstreme, në rast se vala e dytë e infektimeve që tashmë ka nisur në botë sjell shifra të rënda edhe në Kosovë.

Krerët e institucioneve, kanë thënë se do të diskutohet edhe mundësia që të kthehet izolimi në rast se numri i rasteve pozitive shkon duke u rritur.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, e premtimeve për rritje të numrit të testimeve, nuk ka pak ditë  që Kosova ka hapur kufijtë me Maqedoninë e Veriut.

Tashmë qytetarët e të dyja vendeve mund të shkojnë në shtetin tjetër pa test PCR, megjithatë, pas këtij vendimi, shifrat që vinë nga Shkupi kanë qenë të frikshme.

Vetëm në 24 orëshin e fundit në vend janë regjistruar 535 raste të reja me COVID-19. Shumica e rasteve pozitive vinë nga Shkupi, derisa, janë bërë gjithsej 2445 testime në nivel vendi.

Por, a rrezikohet Kosova nga hapja e kufirit?

Ditëve të fundit në vend janë vërejtur shifra të shtuara të rasteve me COVID 19. Gjatë 24 orëshit të fundit nga testimi i 649 mostrave, 77 kanë rezultuar pozitive.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 649 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 77 raste pozitive. Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 16.502 raste nga 77.272 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 650 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 59 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.519 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.333”, kanë bërë të ditur nga Instituti.