A është e gatshme Kosova të kalojë në fazën e dytë me 18 maj? Flasin nga Ministria e Shëndetësisë

Edhe tri ditë kanë mbetur për të hyrë në fazën e dytë të masave lehtësuese, për shkak gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19 në Kosovë, por ende nuk dihet nëse Kosova është e gatshme të kalojë në këtë fazë.

Nga Ministra e Shëndetësisë për Insajderin kanë thënë se do të ketë analizim të situatës epidemiologjike, nga komunitetet për menaxhimin e pandemisë, për të parë nëse jemi të gatshëm të kalojmë në fazën e dytë ose jo.

“Kjo çështje është pjesë e analizës së përgjithshme të masave të fazës së parë të hapjes graduale dhe efekteve të tyre. Komiteti për menaxhimin e pandemisë, do të analizojë edhe rrjedhën e situatës epidemiologjike para datës 18 maj, për të konkuludra vazhdimin e fazës së II-të hapjes apo spostimin e saj”, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për Insajderin. 

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se lehtësimi i masave do të zhvillohet në tri faza, e ku janë cekuar specifikisht se cilat biznese do të fillojnë të hapen nga faza në fazë.

Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Javën e fundit në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me të infektuar nga koronavirusi, në nivel vendi numri i të prekurve me COVID-19 ka arritur në 945, teksa 690 janë shëruar e kanë vdekur 29 të tjerë.