Kapiteni

A e ka marrë Mavraj pasaportën greke, flet futbollisti

Mërgim Mavraj nuk e ka humbur as sensin e humorit dhe as patriotizmin që shumë prej tifozëve ja vunë në diskutim pas lajmit të publikuar se kapiteni kuqezi, ka vendosur të marrë edhe pasaportën greke, jo thjesht të luaj në Greqi.

Në këtë sezon ai ka filluar të aktivizohet tek Arisi për një aventurë të re të parë jashtë Gjermanisë. I kontaktuar nga Top Channel, Mavraj qartëson se gjithçka sa i përket asaj fotoje me pasaportën greke në dorë dhe me mbishkrimin greqisht “faleminderit” ishte shaka.

“Ka qenë një nga shakatë që bëj shpesh nëpër rrjetet sociale. Pasaporta greke nuk ishte e imja, por e lojtarit më të ri të kombëtares, Enea Mihaj, me të cilin u takuam në aeroport kur po vinim për ndeshjen miqësore me Jordaninë. Unë vazhdoj të kem pasaportën gjermane dhe shqiptare sigurisht”, deklaroi Mavraj.

Në këtë mënyrë kapiteni më i ri i kuqezinjve mohon të gjitha zërat mbrojtësi kuqezi i cili ka dashur të bëjë të qartë, duke demonstruar edhe pasaportën gjermane, këtë herë serioz, pasi i duhet qetësia mbi të gjitha në prag të ndeshjesh me Izraelin, shumë të rëndësishme për fatin e kombëtares sonë në Ligën e Kombeve.