A e ka ‘kapë’ Nexhat Krasniqi Avokatin Shtetëror dhe Gjykatën? Pse dështoi ndërmarrja e masës së sigurisë ndaj tij… DOKUMENT

Vendimi i sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi për ta kthyer në punë Nexhat Krasniqin, i njohur si “baba i tenderëve”, bëri që të reagoi edhe Ministria e Drejtësisë përmes Avokatit Shtetëror.

Ballkani.info pati raportiar ekskluzivisht për vendimin e sekretarit Bytyqi që Krasniqi të kthehet në Departamentin e Prokurimit në MI, personi që është i dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe të cilit më vendim të Gjykatës Supreme i ishte konfirmuar largimi nga kjo pozitë.

Megjithatë, duket se lidhjet e Krasniqit me politikën, kanë ndikuar që ai përmes Bytyqit, i njohuri si njeriu i Isa Mustafës, të rikthehet në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kjo çështje në fillim u duk sikur e shqetësoi edhe Ministrinë e Drejtësisë.

Ballkani.info raportoi se Ministria e Drejtësisë më datën 5 janar kërkoi veprim të menjëhershëm për këtë rast dhe ndërmarrjen e shpejt të masave, pasi që bëhet fjalë për personin e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm, si dhe vendimin e Gjykatës Supreme që konfirmon humbjen e vendit të punës.

Ministria e Drejtësisë përmes Avokatit Shtetëror i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që të merret masa e përkohshme e sigurisë për Nexhat Krasniqin.

Ballkani.info e ka siguruar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë e cila në cilësinë e paditësit, në këtë rast Ministrisë së Infrastrukturës e paditë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kërkesa drejtuar Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore të Prishtinës është proktokoluar më datën 6 janar me titull: Për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit të Pavarur për Shërbimin Civil të Kosovës nr. A.77/2019, të datës 4 dhjetor 2020.

Në këtë kërkesë, thuhet se në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dorëzuar padia për anulimin e këtij vendimi.

Aty thuhet se vendimi i cekur më lartë përmban të meta që përbëjnë të pamundur shqyrtimin e ligjshmërisë së tij, prandaj këto të meta qëndrojnë në shkelje thelbësore të dispozitiave të nenit 84.2 pika c, nenit 85.1 pika a, si dhe nenit 86.3 të Ligjit të Procedurës Administrative.

Në këtë kërkesë/padi përmendet edhe Vendimi i Gjykatës Supreme ku është aprovuar kërkesa për mbrotjen e ligjshmërisë të datës 22.08.2019 të ngritur nga Zyra e Prokurorit të Shtetit.

Megjithatë, edhe pse ekzistojnë fakte të pamohueshme, Ballkani.info merr vesh se Gjykata nuk e ka marrë masën e sigurisë së përkoheshme, gjë që në vete përbën precedent dhe ngrit dilem.

Ballkani.info ka tentuar të flas sot me Avokatin Shtetëror, Sami Istrefi, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Javën e kaluar, Ballkani.info ka folur me Istrefin, por ia ka thënë se duhen 72 orë që të merret kjo masë. Mirëpo, tash kur kanë kaluar më shumë se 90 orë, masa nuk është ndërmarrë.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se ekziston një afërsi ndërmjet Avokatit Shtetëror, Sami Istrefi dhe Nexhat Krasniqit. Në ditët në vazhdim ne do të raportojmë me fakte për këtë lidhje.

Të kujtojmë se Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme.

Prandaj, vendimi i për kthimin e tij në punë është shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe vendimeve tjera.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ballkani.info ka kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në punë të Krasniqit.

Në përgjigjet dërguar në adresë të portalit tona, Gjykata Supreme bën të ditur se kjo Gjykatë nuk është në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të N.K., pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës N.K.

“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK,  nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës  nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës.  Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Në pyetjen se a mundet KPMSHC-ja të merr vendim për kthimin në punë të personit të cilit me aktvendim të Gjykatës Supreme i është konfirmuar shkelja dhe është vërtetuar vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, në situatën e përshkruar në përgjigje të pyetjes së parë, Gjykata Supreme në përgjigjet dërguar sot Ballkani.info thotë kështu: “Nuk ka mundësi që KPMSHC në Kosovë të merr vendim tjetër për kthim të N.K. në punë”.