A do të mbyllet sërish Shqipëria? Flet ministrja e Shëndetësisë pas rritjes së rasteve me COVID-19

Shqipëria po vazhdon me rritje të numrit të rasteve të reja me koronavirus, duke shkaktuar kështu panik tek qytetarët për mbylljen e vendit.

Se a do të mbyllet përsëri Shqipëri, u pyet edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një lidhje direkte në Top Channel. Ajo tha se nuk parashikohet një mbyllje tjetër, por gjithsesi, duke parë numrin e lartë të rasteve të infektuar, ekspertët e shëndetësisë po bëjnë vlerësim dinamik në terren.

“Nuk parashikojmë mbyllje, por do ketë vlerësim dinamik gjithsesi nga ekspertët. Por dua të theksoj ndërgjegjësimin e individit në raport me situatën. Është ky një apel që duhet bërë nga të gjithë, edhe nga mediat. U bëj thirrje qytetarëve të mbajnë maskë në ambientet e mbyllura”, tha ministrja duke shtuar se qytetarët duhet ta kuptojnë përmasën e situatës.

Manastirliu tha se situata është serioze dhe rastet në spitale po marrin trajtim mjekësor.

“Po bëhet punë e madhe në terren për testimin, gjurmimin dhe izolimin e kontakteve. Hetimi epidemiologjik bëhet në të gjitha fazat e epidemisë”, tha ajo.

Vetëm sot në Shqipëri u konfirmuan 96 raste të reja dhe dy viktima nga koronavirusi